Vizita dyditore e ministrit te Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, në Shqipëri, u përmbyll. Nuk mund të pretendohet që një vizitë e këtij niveli t’i japë zgjidhje gjithë problematikës së marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë, të grumbulluar ndër vite. Megjithatë, nuk mund të mos shtrohet pyetja se çfarë u arrit konkretisht gjatë këtyre dy ditëve, a u zgjidh ndonjë prej problemeve të mbetura pezull, ose të paktën, a pati lëvizje në ndonjë prej tyre?
Në konferencën e shtypit, të dy ministrat folën për “paketë zgjidhjesh të problemeve dypalëshe”. Ministri Bushati shkoi edhe më tej, duke përmendur krijimin e “mekanizmave të përbashkët” të zgjidhjes së tyre, pa e sqaruar se çfarë përfaqësojnë këto mekanizma. Në mënyrë të veçantë, ai u ndal tek “harta e rrugës” që, duket, se ai e mendon si instrumentin çudibërës për t’u dhënë fund problemeve në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Politikanë e analistë pro qeverisë u shprehën të entuziazmuar se “për herë të parë, Shqipëria u paraqit para palës greke me dosje të plotë”. Të habitur edhe vetë më “guximin” që “ia zbrazën grekut të gjitha në tavolinë”, drejtuesit tanë të politikës e të diplomacisë filluan të zihen me njëri tjetrin se kush ishte i pari që ia “zbrazi problemet grekut”, jo vetëm në Tiranë, por edhe në mes të Athinës, jo vetëm sot, por që para 15-20 vitesh.
Ndërkohë, “patatet e nxehta” midis dy vendeve tona, pavarësisht “trimërisë dhe mençurisë” së drejtuesve tanë të lartë shtetërorë, mbetën siç kanë qenë, pa u ftohur. Pas 76 vjetësh, Athina zyrtare ende mban në fuqi ligjin absurd të luftës me Shqipërinë. Çamët nuk mund të lëvizin lirisht për të shkuar në trojet e tyre autoktone, në Greqi. Po përfundon afati 20-vjeçar i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe komisionet e parashikuara për çështjet e pronësisë, për ujërat kufitare, për arsimin etj. ose nuk u ngritën fare, ose edhe ato që u ngritën, nuk funksionuan kurrë.
Tani, ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, na ofron çelësin magjik të “hartës së rrugës”. Në fakt, ky çelës nuk është i panjohur. Është përdorur, tash 60 e sa vjet, në konfliktin midis Palestinës dhe Izraelit, por pa sukses. Ka 25 vjet që Athina po e përdor për të gjetur zgjidhjen e problemit të emrit me Maqedoninë, përsëri pa sukses. Në vitin 2007, Moska zyrtare e pati ofruar çelësin e ndryshkur të “hartës së rrugës” si alternativë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në të gjitha këto raste, “harta e rrugës” është sinonim i qorrsokakut, i bllokimit apo zvarritjes pa fund të zgjidhjes së problemeve. Në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, qorrsokaku është për palën shqiptare, sepse Greqia ka vazhduar e vazhdon në “rrugën” e vet, në mbrojtje të interesave të saj, kombëtare e shtetërore. Siç i mbron çdo shtet serioz.
Në takimin që pati me drejtuesit me të lartë shtetërorë, por edhe me opozitën, Ministrit Kotzias iu kërkua me “guxim” që “t’i adresojmë çështjet dypalëshe pa paragjykime” dhe që midis Shqipërisë e Greqisë “të rriten raportet e besimit”. Sikur ligji i luftës ekzistuaka, tash 76 vjet, për shkak të paragjykimeve greke ndaj Shqipërisë, apo të mungesës së raporteve të besimit midis dy vendeve tona!!!
Përtej këtyre hamendjeve naive, duhet kuptuar që, nga ana e Athinës, ligji i luftës nuk mbahet kot në fuqi. Ekziston një interes i qartë dhe tejet i rëndësishëm politik dhe ekonomik, i Greqisë për të mos e hequr atë. Ky interes ka të bëjë me sekuestron konservative mbi pronat e shqiptarëve çamë në Greqi, që kapin shifrën e rreth 10 miliardëve euro; me mohimin e të drejtave e lirive themelore të çamëve, individuale dhe kolektive, si grup etnik, midis të cilave edhe atë për t’u kthyer në trojet e tyre në Greqi.
Interesi ynë shtetëror, ekonomik dhe politik, jo vetëm nuk përputhet me atë grek, por është në kundërshtim me të. Kjo është e vërteta dhe ajo u duhet thënë hapur grekëve. Me eufemizma nuk mund të mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërore. Ministri Kotzias nuk iu referua ndonjë eufemizmi, kur në takimin me studentët e Universitetit të Tiranës, deklaroi se rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Athina dhe se nuk duhen nënvlerësuar mundësitë dhe instrumentet që, ende, i disponon Greqia. Përse Athina paska të drejtë t’i mbrojë interesat e veta, kurse ne nuk paskemi të drejtë t’i mbrojmë interesat tona? Nuk paska Shqipëria asnjë mundësi apo instrument që ta shfrytëzojë në favor të interesave të veta? Natyrisht që ka. Midis të tjerash, e drejta ndërkombëtare dhe praktika e saj janë në anën tonë. Por, instrumenti ynë kryesor është çlirimi nga ndjenja e inferioritetit ndaj Athinës, jo me fjalë, por me vepra.
Në këtë kuadër, duket se është i pamjaftueshëm “guximi” për “t’ua zbrazur grekëve në tavolinë problematikën e marrëdhënieve tona”. Është e domosdoshme që të jemi të vendosur në veprime. Në kushtet kur Traktatit të mëparshëm të Miqësisë dhe Bashkëpunimit po i përfundon afati, ripërtëritja e tij ose nënshkrimi i një traktati të ri, nuk duhet bërë, pa vënë kushtet tona, të cilat duhet të jenë konkrete dhe të formuluara qartë – heqjen e ligjit të luftës dhe shfuqizimin e të gjitha akteve ligjore e normative që kanë rrjedhur prej tij; njohjen e çështjes çame si çështje e pazgjidhur e një grupi etnik, e krijuar si pasojë e dëbimit kolektiv të popullsisë shqiptare nga trojet e veta në Greqi, mbi bazën e akuzave të fabrikuara për “bashkëpunim më fashizmin” .
Jashtë këtij qëndrimi, ka rrezik që dy vendet tona të përsërisin historinë – Greqia të vazhdojë në “rrugën” e mbrojtjes pa kompromis të interesave të saj, ndërsa Shqipëria, ashtu si deri më tani, në qorrsokakun e vet
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer
Xabi Alonso mund të prishë planet e Barcelonës në Ligën e Kampionëve 2024/25
Zbulohet finalisti i parë i Big Brother VIP Albania
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak