‘Fondacioni MDA’ hapi dyert në mesin e muajit prill dhe për dy javë u mundësoi të interesuarve prezantimin e ideve të tyre për biznes. Fushëveprimi i ideve ngërthen sektorë të ndryshëm që përfshijnë shërbime në fushën e arsimit, zhvillimit të softuerëve e deri në prodhime që synojnë eksportin.

Ofrimi i shërbimeve dhe produkteve inovative për tregun tonë si dhe për eksport është një nga elementet më të kërkuara në fazën e vlerësimit. Kjo reflekton krijimin e bizneseve të reja të cilat do të siguronin vende të reja të punës.


Prezantuesit e 14 – 20 ideve më premtuese do të ftohen të jenë pjesë e një trajnimi intensiv një javor i cili do të mbahet gjatë muajit maj, periudhë gjatë të cilës idetë mund të zhvillohen më tutje si dhe ideatorët mund të shfaqin potencialin e tyre për të bërë biznes.

Shtatë idetë e përzgjedhura do të gëzojnë përkrahje në burime dhe shërbime nga Fondacioni deri në 12 muaj. Kjo mbështetje do të zhvillojë aftësitë teknike dhe menaxheriale të tyre për t’i jetësuar ato në praktikë. Financimi i bizneseve të përzgjedhura do të bëhet përmes rrjetit të ndërmarrësve kosovarë - të njohur si investitorët engjuj - të cilët pas vlerësimit të ideve të bizneseve do të kenë të qartë se cilat ide kanë potencial për ta pushtuar tregun.

‘Fondacioni MDA’ ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e cila përcakton lehtësira dhe mbështetje për bizneset e reja të cilat do të zhvillohen në këtë inkubator.

Fondacioni në mes të tjerash do të stimulojë promovimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit si dhe do të promovojë përgjegjësinë shoqërore të korporatave që kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/