LAJMI I FUNDIT:

Rritja ekonomike e Kosovës vetëm 2 për qind, profesori Skënderi: Qeveria nuk është duke prodhuar politika efikase

Rritja ekonomike e Kosovës vetëm 2 për qind, profesori Skënderi: Qeveria nuk është duke prodhuar politika efikase

Prodhimi i Brendshëm (PBB) i Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti dhe se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kjo është rritja më e vogël ekonomike nga fillimi i 2021-së, ndërsa më e larta ishte në tremujorin e dytë të këtij viti me 16.32 për qind.


“PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak”, bën të ditur ASK-ja, shkruan Telegrafi.

Për profesorin e ekonomisë Nagip Skënderi, qeveria aktuale është duke u ushqyer me propagandë dhe se nuk është duke prodhuar politika efikase.

“Kjo qeveri është duke u ushqyer me propagandë ekonomike, pra me disa të dhëna statistikore që nuk përkojnë me realitetin ekonomik që është aktualisht. Qeveria aktuale nuk është duke prodhuar politika efikase ekonomike, sidomos politika fiskale që janë të qëndrueshme që e stimulojnë prodhimtarinë dhe për të gjeneruar vende të reja të punës”, tha Skënderi për Telegrafin.

Ai shtoi se trendi i rënies ekonomike është duke vazhduar.

“Nuk ka investime të cilat gjenerojnë në dobishmërinë ekonomiko-sociale, por kemi një tkurrje të tyre dhe mendoj që trendi i rënies ekonomike është duke vazhduar, edhe pse thuhet se kemi një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 2 për qind”, shtoi ai.

Nagip Skënderi, profesor i ekonomisë në UP “Hasan Prishtina”

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thekson se vërehet se nuk ka bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës me sektorin privat.

“Vërehet se nuk është një bashkëpunim i qeverisë me sektorin privat dhe nuk ka politikë ekonomike që qeveria mund t’i kanalizonte në zhvillimin e biznesit, ku të cilat këto janë të orientuara në subvencione, ku dihet se këto të fundit janë lëmoshë sociale”, thekson profesori i UP-së.

Skënderi kërkon që të ndryshohet struktura ekonomike, duke stimuluar prodhimin.

“Duhet të ndryshohet fundamentalisht struktura ekonomike, të orientohemi në stimulimin e prodhimit dhe më tepër të stimulohen eksportet”, kërkon Skënderi.

Ekonomia e Kosovës shënon rritje vetëm 2.02 për qind, opozita me akuza për pushtetin
Lexo po ashtu Ekonomia e Kosovës shënon rritje vetëm 2.02 për qind, opozita me akuza për pushtetin

Në fund, profesori universitar thotë se fuqizimi i sektorit privat duhet bërë përmes politikave afatgjate ekonomike, e jo përmes subvencioneve.

“Të gjenerohen vendet e punës, të fuqizohet sektori privat duke i ofruar përkrahje jo përmes subvencioneve, por përmes politikave ekonomike të cilat kanë një qëndrueshmëri afatgjate, për të gjeneruar vende të reja të punës”, përfundon ai.

Ku pas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.

PDK dhe LDK thonë se kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend. /Telegrafi/