LAJMI I FUNDIT:

Rritja e pensioneve dhe pagesa e tyre në mes të muajit, ministri Murati tregon si erdhën deri te këto vendime

Rritja e pensioneve dhe pagesa e tyre në mes të muajit, ministri Murati tregon si erdhën deri te këto vendime

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati në një intervistë për “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka folur për vendimet e fundit që kanë të bëjnë në fushën e përgjegjësinë e ministrisë së tij.

Ai ka treguar detaje nga vendimi për rritjen e pensioneve në disa kategori, për kërcënimet me greva të sindikatave të vendit, kritikat e opozitës dhe ekspertëve të fushës për vonesa në pakot e ringjalljes ekonomike, ka dhënë detaje për vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të mihjeve të kriptovalutave në Kosovë dhe për planifikimet e buxhetit për vitin 2022.

Murati gjatë kësaj interviste tregoi se të gjitha pensionet bazë të cilat Qeveria e Kosovës vendosi t’i rris në 100 euro paguhen nga buxheti i shtetit të cilat Kosovës për një vit i kushtojnë 25 milionë euro.

11 për qind janë rritur pensionet për kategoritë të cilat i kanë marrë nga 90 euro pension, ndërkaq, siç theksoi Murati pensioni për persona me aftësi të kufizuara që i kanë marrë nga 75 euro, rritja është 33 për qind.

“Për nivelin individual, 10 euro mund të duken të vogla, për buxhetin kostoja vjetore është 25 milionë euro, për këtë rritje që është bërë miratuar”, tha Murati në “Përballje”.

Ai tha se deri tek ky vendim kanë ardhur, pasi e kanë parë të nevojshme një gjë të tillë, pasi ishte miratuar si masë e përkohshme gjatë pandemisë.

“Vendimi ka ardhur, pasi fillimisht është miratuar si masë e përkohshme në pandemi dhe e kemi parë që është e nevojshme. Në nëntor të vitit të kaluar, e kemi bërë një rritje për një muaj. “Po të ishin mundësitë shumë do të ishte edhe më e madhe, e synimi është që të arrijmë eventualisht aty. Por, ne po flasim për diçka që ka ndodh ende pa i bë një vjet kjo Qeveri. Brenda mundësive buxhetore që kemi krijuar, kemi arritur që së paku për këto familje që kanë nevojë të bëjmë rritje”, theksoi ministri i Financave.

Ndërkaq bartja e pagesës, nga fundi i muajit, për në mes të muajit Murati tha se është bërë për të lehtësuar likuiditetin financiar.

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi.com / Foto: Burim Mjeku

“Arsyeja është që pak e shumë të lehtësohet menaxhimi i likuiditetit familjar. Nëse në një familje jetojnë tri gjenerata, mund të ketë një këst kredie që duhet ta paguaj në fillim të muajit dhe sapo të del paga e merr një pjesë banka, atëherë detyrohet që gjatë tërë muajit, 20 ditët e para të kalojë ndoshta më lehtë, 10 ditë të fundit janë më të vështirat. Në mënyrë që të bëhet kjo lidhja, nga fillimi, deri në fund të muajit, meqë siç thashë është një pjesë e konsiderueshme që marrin pensionet, të afrohet në mes të muajit, që të zihet hapi”, u shpreh Murati.

Po ashtu, ndër të tjera Murati ka thënë se grafikoni që është paraqitur në krahasim me vendet e rajonit për shumën e pensioneve që e vendos Kosovën me pensionet më të ulëta nuk është i saktë.

Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati gjatë intervistës për “Përballje” në Telegrafi.com / Foto: Burim Mjeku

Ai tha se në grafikonin e paraqitur, pensionet e shteteve të rajonit janë pensione kontribut dhënëse, për çka Kosova paguan rreth 180 euro, për personat që kanë 15 vite punë kontribut dhënëse. Ndërkaq në të njëjtin grafikon është krahasuar pensioni bazë i Kosovës me pensione kontributdhënëse të vendeve të rajonit.

“Nëse e krahason me presionin bazik, mund të duket se është më i ulët, por është një çështje tjetër që u është bërë padrejtësi, sepse dikush me 14 vite e i merr vetëm 100 euro. E ka dikush që nuk ka punu fare, e prapë i merr 100 euro”, theksoi Murati.

Gjithashtu ai ka folur edhe për kërcënimet me greva të sindikatave të vendit dhe për kritikat e opozitës dhe ekspertëve të fushës për vonesa në pakot e ringjalljes ekonomike.

Gjithashtu ka treguar detaje për vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të mihjeve të kriptovalutave në Kosovë dhe për planifikimet e buxhetit për vitin 2021. /Telegrafi/