LAJMI I FUNDIT:

Rritet interesimi i qytetarëve për imunizim anti-COVID, rreth 22 mijë të vaksinuar sot

Rritet interesimi i qytetarëve për imunizim anti-COVID, rreth 22 mijë të vaksinuar sot
Foto: Arkiv

Rreth 22 mijë persona kanë marrë sot vaksinën anti-COVID nëpër qendrat e vaksinimit në Kosovë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, saktësisht 21 mijë e 908 vaksina janë administruar sot.


Deri më tani në Kosovë janë dhënë 602 mijë e 231 vaksina.

Me dozën e parë janë vaksinuar 175 mijë e 655 qytetarë, ndërkaq numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 213 mijë e 288.

Numri i termineve të rezervuara për sot ka qenë 20 mijë e 464 termine.

Ndër të vaksinuar nga të gjitha kategoritë, interesim ka pasur edhe nga të rinjtë, ku mbi 22 mijë të vaksinuar janë studentë.

Megjithatë, numri më i madh i të vaksinuarve i përket kategorisë së pensionistëve, ku janë vaksinuar deri më tani mbi 139 mijë.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë sot vendim që të lejohet vaksinimi i fëmijëve mbi moshën 12 vjeçare me vaksinën Pfizer.

Sipas komunikatës për medie nga Ministria e Shëndetësisë, Vitia ka aprovuar rekomandimin e dhënë nga trupa profesionale kompetente-Komiteti për imunizim kundër COVID-19, për plotësimin e Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19.

Sipas këtij plotësimi, do të vaksinohen edhe fëmijët mbi 12-vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore me vaksinën Pfizer.

MSH: Lejohet vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç në Kosovë
Lexo po ashtu MSH: Lejohet vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç në Kosovë

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, numri i fëmijëve të infektuar me COVID-19 gjatë ditëve të fundit është rritur dukshëm.

Vetëm në raportin e 24 orëve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se 14 fëmijë deri në 9 vjeç janë konfirmuar me COVID-19.

Ndërkaq, numër i madh i të infektuarve është edhe nga mosha 10 deri në 19 vjeç.

Shifrat e djeshme ishin shqetësuese po ashtu, ku në mesin e të infektuarve ishin 21 fëmijë të moshës prej 0-9 vjeç. /Telegrafi/