LAJMI I FUNDIT:

Rritet borxhi i ndërmarrjeve ndaj institucioneve financiare

Rritet borxhi i ndërmarrjeve ndaj institucioneve financiare

Borxhi i ndërmarrjeve ndaj institucioneve financiare vendore dhe të jashtme ka vazhduar trendin rritës. Borxhi i brendshëm, përkatësisht borxhi ndaj sektorit bankar në vend është rritur për 11.1 për qind, kreditë e ndërmarrjeve nga ndërmjetësit tjerë financiarë u dyfishuan, por që mbesin me peshë të vogël në gjithsej borxhin e ndërmarrjeve në më pak se 3 për qind. Borxhi i jashtëm i ndërmarrjeve vazhdoi rritjen dhe arriti në 21.1 për qind të gjithsej borxhit.

Kështu thuhet në “Raporti i Stabilitetit Financiar, shtator 2018”, prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës”.


Sipas BQK-së, në muajin dhjetor 2017, gjithsej borxhi i ndërmarrjeve shënoi rritje vjetore prej 11.7 për qind dhe arriti në 32.9 për qind të Produktit të Brendshëm të Bruto (PBB) të vendit.

“Rritja e kreditimit të ndërmarrjeve nga sektori bankar ka kontribuar në procesin e përafrimit të shkallës së ndërmjetësimit financiar të ndërmarrjeve drejt vendeve të rajonit. Raporti i kredisë së ndërmarrjeve nga bankat ndaj PBB-së arriti në 25.1 për qind në dhjetor 2017, nga 23.4 për qind një vit më parë, por që ende vazhdon të mbetet nën potencialin e tij afatgjatë, siç sugjerohet nga hendeku negativ aktual i kreditimit ndaj PBB-së”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Si rezultat i rritjes më të lartë të kreditimit edhe neto pozicioni debitor i ndërmarrjeve ndaj sektorit bankar, BQK thotë se shënoi rritje.

“Depozitat e ndërmarrjeve shënuan rritje më të përshpejtuar vjetore dhe arritën në 581.5 milionë euro. Sidoqoftë, rritja e lartë e kreditimit për sektorin e ndërmarrjeve, që në dhjetor 2017 arriti vlerën 1,579.5 milionë euro, ndikoi që ndërmarrjet të zgjerojnë pozicionin e tyre debitor ndaj sektorit bankar. Në aspektin valutor, sektori i ndërmarrjeve ka pozicion neto kreditor ndaj sektorit bankar, si rezultat i nivelit më të lartë të depozitave në valutë krahasuar me kreditë. Sidoqoftë, pozicioni në valutë mbetet i ulët si rezultat i pjesëmarrjes së ulët të kredive dhe depozitave në valutë në 0.1 për qind për kreditë në valutë ndaj gjithsej kredive dhe 3 për qind për depozitat në valutë ndaj gjithsej depozitave”, vijon raporti.

Banka Qendrore thotë se gatishmëria e sektorit bankar për të kredituar ndërmarrjet ka shënuar rritje të konsiderueshme në vitin 2017.

“Kreditë e reja u rritën për 35 për qind, rritja më e lartë në shtatë vitet e fundit. Sipas qëllimit, kreditë e reja ishin 59.6 për qind të destinuara për investime afatgjata, ndërsa pjesa tjetër prej 40.4 për qind u destinuan për financim të aktiviteteve jo-investive të ndërmarrjeve, ngjashëm me mesataren në tetë vitet e fundit”, thuhet në raport.

Produkti i Brendshëm i Kosovës gjatë vitit 2017 rritet për 4.23%
Lexo po ashtu Produkti i Brendshëm i Kosovës gjatë vitit 2017 rritet për 4.23%

Ndërsa, Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se rritja reale e PBB-së në vitin 2017 në krahasim me vitin 2016 ishte 4.23 për qind. /Telegrafi/