LAJMI I FUNDIT:

Rriten për mbi 30 milionë euro investimet e BQK-së gjatë muajit gusht, vlera e aseteve arrin në rreth 1.9 miliard euro

Rriten për mbi 30 milionë euro investimet e BQK-së gjatë muajit gusht, vlera e aseteve arrin në rreth 1.9 miliard euro

Investimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) jashtë vendit në formë të depozitave dhe letrave me vlerë janë rritur për mbi 30 milionë euro.

Kështu thuhet në raportin e fundit të BQK-së mbi bilancin e gjendjes për muajin gusht 2023, duke shtuar se investimet në depozita janë rritur për 60.5 milionë euro


“Letrat me vlerë janë zvogëluar për 29.7 milionë euro, krahasuar me muajin korrik 2023. Vlera e këtyre investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendi më 31 gusht ishte 1.14 miliard euro”, thekson BQK-ja, shkruan Telegrafi.

Për sa i përket depozitave, deri në fund të kësaj periudhe ishin 1.5 miliard euro.

“Depozitat në BQK më 31 gusht ishin 1.5 miliard euro, prej të cilëve 824 milionë janë nga Qeveria e Kosovës, 556.3 milionë euro nga bankat komerciale dhe 163.6 milionë euro nga AKP-ja. Kapitali i BQK-së më 31 gusht, ishte 87.7 milionë euro”, vijon raporti.

Ndërsa, asetet e BQK-së kanë shënuar rritje për 76.6 milionë euro.

“Vlera e aseteve të BQK-së më 31 gusht ishte rreth 1.9 miliard euro. Rritjes së aseteve i ka kontribuar më së shumti rritja e depozitave nga bankat komerciale për 30.2 milionë euro, nga Trusti për 17.9 milionë, nga Qeveria e Kosovës për 25.8 milionë euro si dhe AKP-ja për 500 mijë euro”, shton institucioni në i lartë financiar në vend.

Në fund, asetet rezervë deri ne fund të muajit gusht janë rritur për mbi 60 milionë euro.

“Asetet rezervë në fund të muajit gusht 2023 shënuan vlerën 1.4 miliardë euro e që janë për 61.3 milionë euro më ta larta se në muajin paraprak. Kësaj rritje i ka kontribuar rritja e parasë së gatshme dhe depozitat me jashtë për rreth 92.1 milionë euro. Ndërsa, investimet në letra jashtë kanë rënë për rreth 29.1 milionë euro”, përfundon BQK. /Telegrafi/