Një aeroplan luftarak që i përkiste Forcave Ajrore finlandeze u rrëzua pranë një aeroporti në veri të Finlandës sot, tha ushtria e vendit, duke shtuar se piloti ishte katapultuar nga aeroplani dhe ishte dërguar në spital.

Tymi u pa duke u ngritur nga drejtimi i vendit ku aeroplani u rrëzua dhe kishte një erë të fortë tymi në ajër, raportoi transmetuesi publik Yle. Zona u rrethua nga policia lokale.


"Një aeroplan luftarak F/A-18 Hornet u rrëzua në tokë në zonën e aeroportit të Rovaniemit", thanë nga Forcat Ajrore në një deklaratë, transmeton Telegrafi.

Më vonë shtuan se piloti ishte dërguar për t'u ekzaminuar dhe se askush nuk ishte lënduar në tokë. Aeroporti i Rovaniemit mbeti i hapur, tha veçmas operatori i tij.

Finlanda ka 62 aeroplanë luftarakë Hornet të blerë midis viteve 1992 dhe 2000. Vendi nordik në vitin 2021 vendosi t'i zëvendësojë ato me aeroplanë luftarakë Lockheed Martin F-35. /Telegrafi/