LAJMI I FUNDIT:

Rreth ceremonisë së varrimit të regjisorit të madh të teatrit, Bekim Lumi

Rreth ceremonisë së varrimit të regjisorit të madh të teatrit, Bekim Lumi

Me rastin e vdekjes së regjisorit të mirënjohur dhe profesorit të Regjisë në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës, Këshilli Organizues i Ceremonisë së varrimit të regjisorit Bekim Lumi jep njoftimin si më poshtë:

E martë, 31 korrik 2018
12:00 – Mbledhje përkujtimore (homazh për Bekim Lumin)
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK), Prishtinë
(Pas ceremonisë arkivoli me trupin e të ndjerit niset nga Teatri Kombëtar i Kosovës për në varrezat e qytetit të Prishtinës)


14:00 – Ceremonia e varrimit në Varrezat e qytetit të Prishtinës

E mërkurë, 1 gusht 2018
10:0 – 17:00 Homazhe dhe nënshkrim në Librin e Zisë në Teatrin Kombëtar të Kosovës (prezent edhe familjarët e regjisorit Lumi)

Bekim Lumi ka lindur me 17.12.1966 në Suharekë. Gjatë viteve 1987-1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Kurse gjatë viteve 1992-1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit.

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”.

Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”.

Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”.

Me shfaqjet e tija ai ka qenë pjesëmarrës në dhjetëra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.

Bekim Lumi, me punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe:

– Në vitin 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar cmimin kryesor për shfaqjen më të mirë;

– Në vitin 2016 ka fituar “Çmimin Vjetor për Shfaqjen më të mirë”, të cilën e ndanë Ministria e Kulturës e Kosovës.

Lumi ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja” e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010. Bekim Lumi është autor i dhjetëra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

Nga viti 2002 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e regjisë së Teatrit. /Telegrafi/