LAJMI I FUNDIT:

Kidnapimi i policëve, KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe

Kidnapimi i policëve, KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe

Lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga policia e Serbisë, ka reaguar edhe KFOR-i.

Misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se janë në kontakt me autoritetet e Serbisë për të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve.


Në një reagim për media, KFOR-i ka thënë se nuk është përfshirë në ngjarjen e sotme.

“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”, thuhet në reagimin e KFOR.

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u kidnapuan nga Serbia
Lexo po ashtu Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u kidnapuan nga Serbia

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës./Telegrafi/