LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi rreth komplotit për vrasjen e Fidel Castros, për kokën e të cilit u ofruan vetëm 2 cent

Rrëfimi rreth komplotit për vrasjen e Fidel Castros, për kokën e të cilit u ofruan vetëm 2 cent

Në vitin 2017, u publikuan mijëra dokumente “top-sekret” që kishin të bënin me hetimin e vrasjes së ish-presidentit amerikan, John F. Kennedy.

Dhe brenda këtyre dokumenteve të shumëpritura ishte një dosje veçanërisht interesante që detajonte një plan për të inkurajuar kubanët të vrisnin udhëheqësit e tyre politikë në këmbim të një shpërblimi.


Aty, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, u ofruan shpërblime të rëndësishme.

Por çfarë bie në sy është fakti se për Fidel Castron, ndoshta lideri politik më i rëndësishëm nga të gjithë, u dha vetëm një shpërblim prej 2 cent.

Siç vënë në pah mediat, operacioni ishte një skemë e propozuar nga CIA për të përmbysur qeverinë kubane duke ofruar shpërblime monetare për vrasjen e liderëve politikë dhe komunistëve të tjerë.

Plani ishte që CIA të hidhte fletëpalosje në Kubë, duke njoftuar njerëzit për këtë plan.

Në përgjithësi, vlera e shpërblimit ishte më e madhe, sa më i rëndësishëm ishte individi.

Nëse do të vrisnin një “shef departamenti” ata do të fitonin 57,500 dollarë dhe nëse do të vrisnin zyrtarë qeveritarë do të fitonin 100,000 dollarë.

Por në kontrast me të gjithë individët me vlerë të lartë, CIA caktoi shpërblimin për vrasjen e Castros në dy cent.

Arsyeja pas vlerës së Castros ishte thjesht psikologjike.

Çka thoshte Fidel Castro për komunizmin, vdekjen e vet dhe historinë e mjekrës
Lexo po ashtu Çka thoshte Fidel Castro për komunizmin, vdekjen e vet dhe historinë e mjekrës

Duke vendosur një shumë dukshëm më të lartë për liderët e tjerë politikë, CIA donte “të përcillte mesazhin” se Castro vlente shumë më pak.

Kështu, ata donin ta “denigronin” atë në sytë e publikut kuban.

Sidoqoftë, pavarësisht krijimit të planit të tyre të përpunuar për të vrarë dhe poshtëruar revolucionarët kubanë dhe Castron, CIA nuk e realizoi këtë plan.

Komplotet kundër Castros

Këto dokumente top-sekrete zbuluan gjithashtu komplote të shumta që CIA kishte krijuar për të vrarë Castron.

Një komplot përfshinte që t’i jepej atij një kostum zhytjeje, i kontaminuar. Një tjetër përfshinte manipulimin e një guaska deti me eksploziv që do të shpërthente sapo të kapej guaska.

Në një rast tjetër, CIA urdhëroi dikë që të helmonte akulloren e Castros, diçka që Castro e donte pothuajse po aq sa purot e tij.

Por CIA nuk u ndal vetëm në tentativat për vrasje.

Ashtu si qëllimi për të minuar imazhin e Castros duke vendosur shpërblimin prej dy cent, CIA gjithashtu krijoi komplote të tjera që synonin të diskreditonin Castron dhe imazhin e tij.

Por me gjithë komplotet kundër Castros, qofshin të ekzekutuara apo thjesht të ideuara, asnjë nuk u realizua.

Në fakt, ai vdiq në vitin 2016, në moshën 90-vjeçare.

Dhe Inteligjenca Kubane pretendoi se ai u kishte mbijetuar mbi 600 atentateve nga CIA.

Madje, sipas vetë Castros, “nëse të mbijetuarit ndaj tentativave për vrasje do të ishin një ngjarje olimpike, unë do të fitoja medaljen e artë”. /Telegrafi/