LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi ekskluziv i Bytyqit si skaut i Cityt: Sëmundja në zemër, zbehja e ëndrrës, angazhimi i ri dhe mosinteresimi nga FFK-ja

Rrëfimi ekskluziv i Bytyqit si skaut i Cityt: Sëmundja në zemër, zbehja e ëndrrës, angazhimi i ri dhe mosinteresimi nga FFK-ja

Sinan Bytyqi llogaritej si njëri nga lojtarët më të talentuar nga Kosova por edhe në akademinë e Manchester Cityt.

Sulmuesi anësor u huazua fillimisht në ekipin holandez Cambur, ndërsa në verën e vitit 2016 u huazua përsëri nga City, por kësaj radhe tek ekipi tjetër holandez Go Ahead Eagles. E nisi mbarë me Eagles, duke bërë tre asistime, por që huazimin u desh ta ndërpresë në dhjetor të atij viti pasi kishte disa probleme shëndetësore.


Pas kontrolleve mjekësore te City, u konstatua se Sinani kishte probleme me zemër. Bytyqi, 22 vjeçar, në atë kohë u rikthye në Austri te familja e tij dhe për afër një vit priti një vendim përfundimtar nëse do t’i lejohej të luante futboll ose jo.

Sinan Bytyqi sa ishte pjesë e Manchester Cityt. (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, prizrenasi flet për të kaluarën dhe të tashmen e tij, por që ka zbuluar edhe planet e së ardhmes.

“Kur e kam ndaluar futbollin kam pritur një vit me familjen në shtëpi duke pritur përgjigje nëse do të luaj futboll apo jo. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë pasi i kam bërë shumë pyetje vetës që nuk mund të merrja përgjigje. Në fund u konstatua se nuk mund të luaja më futboll pasi në të kundërtën rrezikoja jetën time. Pas kësaj City më ofroi punë dhe atëherë gjithçka ka qenë në rregull pasi kam gjetur qetësi”, deklaroi Bytyqi për Telegrafin.

Manchester City kishte vetëm një njeri që shikonte lojtarët e huazuar dhe në atë kohë vendosi ta formojë një grup për t’i ofruar një vend pune Sinanit.

Bytyqi tani punën si skaut (zbulues talentësh) i Manchester Cityt, ku detyra e tij është për të shkuar dhe për t’i parë nga afër lojtarët e huazuar të klubit nëpër vende të ndryshme të Evropës.

“Në atë kohë City vendosi të formonte një grup prej gjashtë personave për t’i përcjellë lojtarët e huazuar. Është shefi i grupit, unë si skaut, dy doktorë dhe dy trajnerë që merremi vetëm me lojtarët e huazuar që janë rreth 30 sosh”, vazhdon tregimin e tij për Telegrafin ish-sulmuesi i Kosovës.

View this post on Instagram

⚽️💪🏻

A post shared by Sinan Bytyqi (@sinanbytyqi_) on Jul 7, 2016 at 11:26am PDT

24-vjeçari tani ka për detyrë të udhëtoj nëpër shtete të ndryshme evropiane dhe jo vetëm për t’i parë nga afër lojtarët, të bëjë raport për ta dhe atë raport pastaj e shohin të gjithë në klubin anglez, nga drejtuesit e deri tek Pep Guardiola.

“Detyra ime është të udhëtoj dhe t’i shikoj të gjithë lojtarët e huazuar të Cityt, pastaj e bëjë një raport për ndeshjet e tyre dhe gjendjen momentale dhe e fus në një faqe që është e klubit online dhe atë klubi e shikon gjendjen e lojtarëve”, tha Bytyqi.

Por puna e tij nuk është edhe aq e lehtë, pasi ai shumicën e kohës është duke udhëtuar dhe në çdo fillim muaji njoftohet se në cilin shtet do të shkoj.

Bytyqi duke nënshkruar kontratë me gjigantin anglez

“Çdo fillim të muajit e kemi planin se ku do të shkojmë në cilin shtet. Por na bije të udhëtojmë shumë, shembull këtë javë jam në Spanjë dhe më ka ndodhur të jem në Barcelonë fillimisht, pastaj të udhëtoj drejt Malagas, kthehem përsëri në Barcelonë dhe në fund rikthehem ne Manchester, është një punë e mirë por që është edhe e mundimshme”.

“Zakonisht udhëtoj të premteve që të shtunën, dielën dhe hënën të jem në shtetet ku kemi lojtarët e huazuar. Javën tjetër kam për të udhëtuar drejt Holandës ku kemi disa futbollistë të huazuar dhe do t’i shikojë të gjithë nga afër”, u shpreh Bytyqi.

Tani i propozon lojtarë klubit për t’i transferuar

Së fundmi Bytyqi përveç punës për t’i parë lojtarët e huazuar të Cityt, ka marrë edhe një detyrë, që t’i propozojë klubit transferimin e lojtarëve të rinjë.

Ai udhëton për t’i parë lojtarët e huazuar, por nëse i pëlqen ndonjë tjetër atëherë ai ia propozon klubit.

“Së fundmi kam marrë edhe detyrën të shikoj lojtarë që ia vlen për ekipin e parë të Cityt. Nëse më pëlqen një futbollist atëherë mund ta propozoj në klub dhe të vazhdojmë ta ndjekim javë pas jave”.

“Ka pasur raste që kam shkuar ta përcjellë një lojtar tonin që është i huazuar dhe më ka pëlqyer një tjetër futbollist ku pastaj ia kam propozuar klubit ta shikojë më shumë për ta transferuar. City transferimet nuk i bënë vetëm për një ndeshje por vazhdon tani vëzhgimi rreth pesë apo gjashtë muaj”, vazhdoi tutje Bytyqi.

E këtë javë që po qëndron në Spanjë, Sinani ka përcjellë një futbollist për ta transferuar City në Etihad Stadium, por që emrin e lojtarit nuk ia bënë publik.

“Gjatë kësaj kohe që jam në Spanjë të gjithë e dinë vendndodhjen time nga ekipi i parë i Cityt dhe nëse kanë ndonjë interesim për ndonjë lojtar për ekipin e parë atëherë ma kërkojnë mua një raport për të”

“Këtë javë e kam shikuar një futbollist për ekipin e parë të Cityt por që emri nuk bënë t’i përmendet dhe do ta bëjë një raport për ta parë agjentet e klubit dhe në fund ata e vlerësojnë nëse ia vlen transferimi i tij ose jo”, thotë Bytyqi.

Së shpejti një plan për t’i vizituar vendet e vogla, ndër to edhe Kosovën

Agjentët e Manchester Cityt kryesisht shkojnë nëpër shtete të mëdha në krejt kontinentet.

Por klubi anglez së shpejti do ta bëjë një plan për t’i vizituar edhe vendet e vogla si Kosova dhe këtë e konfirmon Bytyqi për Telegrafin.

“Kemi agjentë që janë nëpër krejt kontinentet, si në Evropë, Amerikë, Azi apo Afrikë”.

“Së shpejti planifikojmë që të vizitojmë edhe shtetet e vogla pasi nëpër këto shtete mund të dalin talente të mëdha”.

Prizrenasi sa ishte pjesë e skuadrës holandeze Go Ahead Eagles

Bytyqi planifikon që të vijë edhe në Kosovë me punë, që të shikojë ndonjë nga talentet e futbollit tonë.

“Besoj që së shpejti kam për të ardhur edhe në Kosovë që të shikoj ndonjë lojtarë të talentuar. Thash kemi për ta bërë një plan për t’i vizituar vendet e vogla ku mund të marrim ndonjë talent të jashtëzakonshëm”, vazhdoi rrëfimin e tij Bytyqi.

Takohet shpesh me Pep Guardiolën

Sa ishte futbollist, Bytyqi ka stërvitur shpesh herë me ekipin e parë të Manchester Cityt ku kishte nënshkruar edhe kontratë profesionale.

E të stërvitesh nga njëri nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit është fat dhe këtë fat e kishte i riu nga Prizreni.

View this post on Instagram

😅☀️💦

A post shared by Sinan Bytyqi (@sinanbytyqi_) on Aug 4, 2016 at 12:43pm PDT

“Kam qenë me fat që kam jam stërvitur nga Guardiola. Padyshim që ka qenë trajneri më i mirë që e kam pasur ndonjëherë”, u shpreh Bytyqi.

Edhe tani prizrenasi takohet shpesh herë me trajnerin e famshëm spanjoll dhe bisedon me të.

“E takoj shpesh kur jam në Manchester dhe bisedoj. Më pyet gjithmonë se si jam dhe si po më ecën puna. Është një person shumë i mirë”, tha Bytyqi.

24-vjeçari në stërvitje me Përfaqësuesen e Kosovës

FFK nuk u interesua për të, por Bytyqi është i hapur t’i ndihmojë

Bytyqi ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në vitin 2016, ku u grumbullua në tri ndeshje, ndaj Finlandës, Kroacisë e Ukrainës, por pa pasur rastin të debutojë edhe pse e kishte lënë Kombëtaren e Austrisë për Kosovën.

Por pas sëmundjes së tij dhe largimit nga futbolli, askush nuk u interesua nga Federata e Futbollit për gjendjen e futbollistit tonë.

Këtë e konfirmon vetë lojtari për Telegrafin, duke përmendur vetëm menaxherin Bajram Shala që i ka shkruar një herë.

“Momentin që është bërë publike sëmundja ime më ka shkruar menaxheri Bajram Shala. Por nga Federata e Futbollit të Kosovës nuk është interesuar asnjëherë askush për gjendjen time”, thotë Bytyqi.

Sinan Bytyqi, Bersant Celina dhe Arber Zeneli

Pa marrë parasysh këtë gjë, Bytyqi thotë se është i hapur ta ndihmojë Federatën dhe ekipin përfaqësues.

“Për mua ka qenë nder ta përfaqësoj Kosovën edhe pse nuk kisha mundësi të luaja”.

“Jam i hapur ta ndihmojë Kosovën për tu ndryshuar për të mirë. Jam i punësuar në një klub të madh që po bëhet më i miri në botë dhe e shoh çdo ditë se si funksionon një klub. Nëse do të më kontaktonin do të pranoja me kënaqësi t’i ndihmoja”, tha Bytyqi.

Dëshiron t’i ndihmojë edhe shokët e Përfaqësueses për t’i sistemuar në ndonjërin nga klubet e Cityt

Pronarët e Manchester Cityt, janë pronar të kompanisë City Football Group e që në pronësi nuk e kanë vetëm gjigantin anglez por edhe skuadra të tjera nëpër vende të ndryshme të botës.

Manchester City në Angli, New York City në SHBA, Melbourne City në Australi, Yokohama F. Marinos në Japoni, Club Atletico Torque në Uruguai, Girona në Spanjë dhe Sichuan Jiuniu në Kinë janë ekipet nën ombrellën e City Football Group.

Bytyqi thotë se do t’i ndihmojë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës për t’i sistemuar me ndonjërin nga klubet e City Football Group nëse ata kanë nevojë për ndihmë.

“Aktualisht lojtarët e Kosovës që kam luajtur me ta në Përfaqësuese janë nëpër klube të mira dhe po luajnë vazhdimisht. Por nëse ata nuk do të gjejnë vend në ndonjë klub evropian atëherë do të mundohem t’i ndihmojë. Momentalisht kampionatet si MLS apo ai i Australisë janë në nivel më të dobët dhe asnjë nga lojtarët e Përfaqësueses nuk do të transferoheshin atje”, u shpreh Bytyqi.

Kosova ka ndryshuar tërësisht, tifozët në Kosovë me fat që do të vijnë yje si Sterling, Kane apo Stones

Kosova ka arritur të fitojë grupin në Ligën D të Kombeve përballë ekipeve si Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta.

Bytyqi i ka përcjellë të gjitha ndeshjet e Përfaqësueses dhe thotë se ka ndryshuar tërësisht ekipi.

“I kam parë të gjitha ndeshjet dhe jam i lumtur me këtë ecuri. Me ardhjen e trajnerit të ri po duket gjithçka më mirë. Tani po luajnë më shumë si grup dhe kjo i sjellë edhe sukseset”, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit lojtarët e Kosovës janë më meritorët që Kombëtarja e Anglisë do të zbres në Prishtinë dhe tifozët kosovarë nga afër do t’i shohin idhujt e tyre si Rahem Sterling, Harry Kane apo John Stones.

“Për Kosovën si një vend i vogël dhe i izoluar është shumë mirë që lojtarë të mëdhenj si Steerling, Kane apo Stones do të jenë në Prishtinë. Ekipet angleze kanë shumë tifozë në Kosovë të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në stadiumet angleze për t’i parë nga afër dhe për ta do të jetë një ditë e madhe kur Kombëtarja e Anglisë do të vijë në Prishtinë”.

“Merita më e madhe që Anglia do të jetë në Prishtinë është e lojtarëve të Përfaqësueses sonë”, tha Bytyqi që beson se Kosova mund ta kalojë grupin për kualifikimet e kampionatit evropian.

“Përveç Anglisë që është një Kombëtare shumë e fortë, Kosovës i jap shanse të mira me ekipet tjera në grup. Jam i bindur se në Prishtinë nuk do të mund asnjë ekip ta mposhtë Kosovën”, tha Bytyqi.

Të ardhmen e sheh vetën si trajner

Dashuria e parë për Sinanin ishte topi i futbollit dhe kjo është një dashuri që nuk përfundon kurrë.

24-vjeçari momentalisht është i lumtur me punën e tij të skautit, por në të ardhmen synon të jetë trajner.

“Momentalisht jam shumë i lumtur me punën time si skaut pasi edhe kjo është pjesë e futbollit. Kam kryer shkollim për këtë punë dhe po argëtohem”, tha Bytyqi.

“Së shpejti do të filloj kurset e trajnimit për t’i marrë licencat B dhe A të UEFA-s për trajnim. Deri në moshën 27 vjeçare synoj t’i kem të gjitha licencat edhe UEFA PRO”.

“Të ardhmen kam dëshirë të jem një trajner pasi më mungon shumë topi. Dua që përsëri t’i mbathtë këpucët sportive dhe të jem në terren”, përfundoi sulmuesi nga Kosova.

Sinani sa ishte pjesë e Kombëtares së Austrisë U21

Bytyqi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Austrisë nga U17 deri më U21 ku në 23 paraqitje ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë 12 asistime.

Për ekipin e dytë të Manchester Cityt, Sinani ka zhvilluar 59 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 10 gola dhe ka bërë 17 asistime në katër vite sa qëndroi në akademinë e gjigantit anglez. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Zbulohet favoriti i ri për të fituar Topin e Artë 2024: Haaland mbetet mbrapa në garë

Zbulohet favoriti i ri për të fituar Topin e Artë 2024: Haaland mbetet mbrapa në garë

Ndërkombëtare
Leicester City fiton rikthimin në Ligën Premier pa e zhvilluar ndeshjen

Leicester City fiton rikthimin në Ligën Premier pa e zhvilluar ndeshjen

Premier League
Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Serie A
Mjafton goli i Guler, Real Madridi arkëton tri pikë në udhëtim tek Real Sociedadi

Mjafton goli i Guler, Real Madridi arkëton tri pikë në udhëtim tek Real Sociedadi

La Liga
Mësohet shuma e parave që Ten Hag do të ketë në dispozicion për blerje gjatë verës

Mësohet shuma e parave që Ten Hag do të ketë në dispozicion për blerje gjatë verës

Premier League
Kalo në kategori