Romeo Beckham festoi 23-vjetorin e tij me një mbrëmje luksoze në Londër, i rrethuar nga familja dhe miqtë e ngushtë.

Modeli i ri, ditëlindja e të cilit ishte më 1 shtator, organizoi një darkë në restorantin ekskluziv japonez Aki, i cili pritet të hapet për publikun në fund të muajit.


Në fotografitë e publikuara nga festa, Romeo shihet duke pozuar i lumtur me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, si dhe me vëllain më të vogël Cruz dhe motrën Harper. E dashura e tij, Jackie Apostel, ishte gjithashtu pjesë e mbrëmjes, shkruan DailyMail.

Megjithatë, mungesa e dukshme ishte ajo e Brooklyn Beckham dhe bashkëshortes së tij Nicola Peltz, të cilët prej kohësh nuk janë të pranishëm në ngjarjet familjare.

Victoria dhe David u shfaqën elegantë, ndërsa Romeo veshi një xhaketë të zezë lëkure për të festuar.

Atmosfera ishte festive, me muzikë, qirinj e tortë gjigante ditëlindjeje, ndërsa babai krenar David u pa duke e përqafuar me dashuri djalin e tij.

Në një moment të ëmbël e të çuditshëm njëkohësisht, Romeo vendosi të shijonte edhe një Big Mac nga McDonald’s gjatë festës glamuroze.

Burime pranë familjes treguan se edhe pse grindjet me Brooklyn-in vazhdojnë, prindërit e kanë pranuar realitetin dhe po përpiqen të fokusohen tek fëmijët e tjerë.

“Ishte një natë e qetë dhe e mrekullueshme për të festuar Romeon”, tha një burim, duke shtuar se mbrëmja zgjati deri vonë me shumë të qeshura dhe momente të paharrueshme.

Marrëdhëniet e tensionuara mes Brooklynit dhe familjes Beckham janë vënë sërish në qendër të vëmendjes, pasi ai nuk e uroi publikisht të vëllain dhe u pa duke bërë deklarata që u interpretuan si thumb ndaj familjes së tij.

Megjithatë, për Romeon, mbrëmja e ditëlindjes mbeti një kujtim i veçantë, i mbushur me dashuri dhe mbështetje nga ata që ishin të pranishëm. /Telegrafi/