Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Michalis Rokas, vizitoi sot qytetin e Koçanit, njoftoi Delegacioni i BE-së në Shkup.
Gjatë vizitës së tij, ai i bëri homazhe viktimave të zjarrit në Koçan më 16 mars të këtij viti, i cili vrau 63 persona, dhe më pas u takua me autoritetet lokale të sapoformuara, si dhe përfaqësues të komunitetit të qytetit.

Vizita e Rokas filloi në varrezat e qytetit, ku ai vendosi lule në kujtim të 63 viktimave të zjarrit në diskoteken Pulse më 16 mars 2025, dhe pasdite u takua me shoqatën e prindërve të viktimave të tragjedisë, të quajtur "16 Mars 2025 - Koçani", si dhe me përfaqësues të të mbijetuarve të zjarrit.


Rokas u takua gjithashtu me Kryetarin e sapozgjedhur të Bashkisë së Koçanit, Vlladko Grozdanov, ku biseda u përqendrua në prioritetet lokale, nevojat e komunitetit dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zhvillimin e komunës.

Ambasadori i BE-së foli gjithashtu me përfaqësues të Këshillit komunal të Koçanit, duke shkëmbyer pikëpamje mbi shërbimet publike, vetëqeverisjen lokale dhe bashkëpunimin me nismat e financuara nga BE.

"Vizita nxori në pah një gamë të gjerë iniciativash të mbështetura nga BE-ja të planifikuara për Koçanin dhe rajonin lindor të vendit. Këto përfshijnë përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin mjedisor, modernizimin e pajisjeve mjekësore në fushat kryesore të kujdesit shëndetësor dhe mbështetjen për rindërtimin me efikasitet energjetik të ndërtesave publike. Po punohet gjithashtu për një qasje afatgjatë ndaj përdorimit të ujërave termale të Koçanit", thuhet në deklaratë./Telegrafi/