LAJMI I FUNDIT:

RIT Kosova (A.U.K) arrin të mbledhë 85 mijë euro në Gala Mbrëmjen fondmbledhëse, Gjenerali Clark mysafir special

RIT Kosova (A.U.K) arrin të mbledhë 85 mijë euro në Gala Mbrëmjen fondmbledhëse, Gjenerali Clark mysafir special

Sponsorët Platin të kësaj ngjarjeje ishin Banka Amerikane e Investimeve, Fondacioni Lukaj dhe Fondacioni i Familjes Cami

Më 15 maj 2018, nën moton “Përkrah Rrëfimin e Ardhshëm të Suksesit”, RIT Kosova (A.U.K) mbajti një nga aktivitetet e saj të para madhore për ngritjen e fondeve në mbështetje të studentëve të talentuar dhe të paprivilegjuar.

Më shumë se 160 mysafirë u mblodhën në hotelin Swiss Diamond për të treguar angazhimin dhe mbështetjen e tyre për gjeneratat e ardhshme të RIT Kosova (A.U.K), të cilëve u referohemi si “Rrëfimet e Ardhshme të Suksesit”.

Me ndihmën e komunitetit të donatorëve, mbështetësve dhe shumë miqve të institucionit, RIT Kosova (A.U.K) mblodhi një shifër rekord prej 85,475 euro.

Kjo ngjarje adreson synimet e institucionit për të ngritur fonde dhe për të ofruar më shumë mundësi për bursa për studentët e tanishëm dhe të ardhshëm.

Kjo është ngjarja e dytë fondmbledhëse e RIT Kosovës (A.U.K) këtë vit.

Në shkurt, RIT Kosova (A.U.K) organizoi një ngjarje të ngjashme në Nju Jork dhe arriti tëmbledh shumën prej45,000 dollarësh amerikanë.

Mbrëmja filloi me një mirëseardhje të ngrohtë nga Presidentja e RIT Kosovës (A.U.K), Dr. Sharon Y. Hart.

Ajo theksoi rëndësinë e këtyre ngjarjeve dhe mundësitë që këto ngjarje u ofrojnë gjeneratave tona të ardhshme.

“Studentët tanë e bëjnë punën time të bekuar çdo ditë; dëgjoj tregimet e tyre personale; dëgjoj sfidat e tyre të shumta; dëgjoj atë se sa shumë prej tyre këmbëngulin që të vazhdojnë me edukimin e tyre. Ata janë e ardhmja e këtij vendi dhe ne duhet të jemi kaq krenarë që jemi në gjendje t’i ndihmojmë ata në këtë rrugëtim përmes RIT Kosova (A.U.K)”, shtoi ajo.

Folësi i radhës ishte Kryetari i Bordit, Richard Lukaj, i cili ishte gjithashtu një sponsor i rëndësishëm në këtë ngjarje dhe ishte zotuar të dhuronte nga të ardhurat e tij personale totalin e të gjitha të hyrave neto të këtij evenimenti.

Ai informoi audiencën se pas 15 vjetësh shërbimi, do të tërhiqet nga Bordi, por ai do të vazhdojë të jetë donator i këtij institucioni përgjithmonë.

Ai theksoi se premisa themelore e misionit fillestar të Universitetit Amerikan në Kosovë ishte nevoja për ta rikthyer arsimin në Kosovë – në veçanti arsimin perëndimor.

Ai kujtoi se si profesori i parë në Universitetin Amerikan në Kosovë ishte Presidenti Bill Clinton dhe çfarë tha ai në atë leksion të parë.

Ndër tjerash, ai citoi Presidentin Clinton duke thënë se “duke parë rreth këtyre mureve, unë mund t’ju premtoj se muret mund të mos jenë aq të bukura sa do të donim ne të jenë sot, por arsimi do të jetë”.

Pas Zotëri Lukajt, Presidenti i Rochester Institute of Technology, Dr. David C. Munson Jr mori fjalën, ku ofroi fjalët e tij përshëndetëse.

Gjatë fjalimit, ai vuri në dukje se kjo ishte vizita e tij e parë në Prishtinë dhe se ai ishte shumë i impresionuar me këtë vizitë.

“Sa qytet i gjallë dhe aktiv, ku Lindja takohet me Perëndimin dhe unë thjesht nuk mund të mendoj për një vend më të mirë ku shumë e më shumë studentë tanë [nga SHBA] mund të kalojnë ca kohë këtu”, shtoi ai.

Dr. Munson vazhdoi me “jemi gjithashtu shumë të interesuar të kemi më shumë studentë nga Kosova që të vijnë dhe të kalojnë kohë në Rochester; dhe të kemi një bashkëpunim më të madh në mes të profesorëve tanë dhe tuajt në Kosovë për një të ardhme më të mirë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu ndodh të jetë një ish student i RIT Kosovës (A.U.K), iu drejtua pjesëmarrësve në gjuhën angleze.

Ai tha se ishte i nderuar që merrte pjesë në këtë mbrëmje dhe ai mori kohë për të falënderuar të gjithë, popullin e Kosovës, diasporën shqiptare, amerikanët dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë rrugëtim për ta bërë këtë rrëfim të suksesshëm, të quajtur RIT Kosovë (AUK).

Haradinaj mbylli fjalimin e tij duke deklaruar se ajo që e bën atë më së shumti krenar për RIT Kosovën (A.U.K) është se ky është i vetmi institucion ku studentët sapo të përfundojnë studimet, gjejnë një punë.

Me këtë, ai tha se shpreson që së bashku, jo vetëm RIT Kosova (A.U.K), por të gjithë studentët dhe Kosova si vend do të korrin suksese.

Pas darkës, studentja jonë moderatore, Xheneta Sopjani vazhdoi me programin dhe prezantoi një nga studentët e RIT Kosovo (A.U.K), pjesë e tregimit të suksesit, Yll Zagragja.

Përveç fjalimit të tij, Zagragja mori pjesë edhe si Sponsor i Artë, duke dërguar një sinjal tjetër pozitiv dhe një shembull të mirë për të gjithë miqtë e këtij institucioni, donatorët aktualë dhe të ardhshëm, dhe më e rëndësishmja, për studentët e saj.

Zagragja, një sipërmarrës i suksesshëm, foli për ndikimin e madh që RIT Kosova (A.U.K) ka pasur në karrierën e tij.

“Disiplina, angazhimi dhe drejtësia që gjeta në A.U.K ishin një përputhje e përsosur me vlerat e mia personale. Komuniteti të cilit i takoja në A.U.K u bë themeli mbi të cilin unë ndërtova biznesin tim”, vuri në dukje ai.

Ai ndau rrëfimin e tij të suksesit biznesor me kompaninë e tij të kontabilitetit Zagragja &Associates, si dhe përfshirjen e tij me kompaninë e teknologjisë informative UCX.

Ai ka të punësuar 50 punonjës dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij të biznesit po punon për të ndërtuar një platformë tregu që do të ndryshojë mënyrën se si blihet dhe shitet hapësira online në të gjithë botën.

Ai mbylli fjalimin e tij duke i kujtuar audiencës rëndësinë e dhënies dhe gjetjes së lumturisë në përmbushjen e qëllimeve edukative afatgjata të të rinjve tanë.

Pas z. Zagragja, një studente aktuale, Eldena Dakaj, u ftua për të ndarë rrëfimin e saj frymëzues me audiencën.

Si nxënëse e dalluar nga një fshat i largët i Klinës, pjesë e një familje me të ardhura të vetme nga babai, synimet dhe ëndrrat e saj për arsimim të lartë nuk dukeshin shumë premtuese.

Edhe pse ajo aplikoi në universitete jashtë vendit dhe u pranua, ajo nuk ishte në gjendje të vazhdonte studimet për shkak të shpenzimeve të larta të jetesës.

Më pas ajo e kuptoi se mund të kishte arsimin që ajo ëndërronte gjithmonë edhe këtu në Prishtinë, në RIT Kosovë (A.U.K) ku gjithashtu ishte fituese e një burse.

Zonjusha Dakaj falënderoi të gjithë donatorët dhe pjesëmarrësit të cilët e bënë realitet ëndrrën e saj dhe të kolegëve të saj.

Si një sipërmarrëse e ardhshme, Eldena shpreson që një ditë do të jetë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë edhe për gjeneratat e ardhshme.

Pika eminente e kësaj ngjarjeje ishte mysafiri special dhe folësi kryesor, gjenerali Wesley K. Klark,i njohur gjerësisht si gjenerali i NATO-s i cili gjunjëzoi Sllobodan Millosheviqin, pas një fushate ajrore 78 ditore e cila pengoi spastrimin etnik të 1.5 milion shqiptarëve.

Fillimin e fjalimit të tij Gjenerali Klark e bëri duke kujtuar vitin 1999 si një nga kohët më kritike në historinë tonë, kur aleanca e NATO-s duhej të ndërhynte për të mbrojtur jetën e shqiptarëve të Kosovës.

Duke kujtuar disa rrëfime interesante nga lufta, ai shtoi: “… dhe ja ku jeni tani, rreth 19 vite më vonë, një universitet i gjallë; është një histori frymëzuese, një testament i mrekullueshëm për ju, për guximin e popullit të Kosovës; dhe angazhimet e shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve që besojnë në këtë vend dhe në konceptin e demokracisë dhe lirisë sa që edhe luftuan për të”.

Gjenerali Klark vazhdoi duke i përkujtuar audiencës se Shtetet e Bashkuara u krijuan në pothuajse të njëjtën mënyrë; ka pasur një luftë në fillim dhe përderisa disa dyshonin në konceptin e demokracisë, të tjerët punuan shumë për ta arritur këtë koncept.

Për më tepër, gjenerali theksoi se “elementi më i rëndësishëm në themelimin e një kombi, në rritjen e kulturës, në krijimin e sigurisë, është edukimi i njerëzve”.

Më pas ai vazhdoi duke festuar arritjet e të diplomuarve të RIT Kosova (A.U.K) dhe si ky institucion, në një vend me papunësinë më të lartë në Evropë, arrin të mbajë një normë punësimi prej 95% për të diplomuarit e saj.

“Sepse të gjithë i duan ata [studentët], dhe kjo është shenja e vërtetë e suksesit të këtij universiteti, dhe unë ju përgëzoj për të”, shtoi ai.

Gjatë kësaj ngjarje, gjenerali Klark zbuloi se ka edhe një iniciativë për të krijuar një bursë nën emrin e tij, për të cilën ai fillimisht do ta dhurojë një shumë personalisht me shumë krenari dhe kënaqësi.

“Unë mendoj se nuk mund të bëni asgjë më shumë për të ndihmuar një shtet sesa të investoni në të rinjtë e saj; potenciali njerëzor është burimi më i madh që mund të ketë ndonjëherë një vend “, potencoi ai.

Më poshtë mund të gjeni informatat rreth sponsorëve kryesor të kësaj mbrëmjeje:

Fondacioni Lukaj – Sponsor Platin / Krahasuar me të ardhurat neto të ngjarjes

Z. Richard Lukaj, Themelues i Fondacionit Lukaj ka qenë gjithashtu aktiv në aktivitetet filantropike në të gjithë rajonin, si një dhurues i rëndësishëm. Ai është njëri nga themeluesit dhe aktualisht shërben si Kryetar i Bordit të RIT Kosovës (A.U.K.). Z. Lukaj gjithashtu themeloi programin e Shpërndarjes së Shpresës, një organizatë partnere me USAID-in, e cila ofron trajnime të lidershipit për gratë e Ballkanit dhe organizon programe shkëmbyese për stafin ekzekutiv tek korporatat më të mëdha dhe agjencitë qeveritare e joqeveritare të Shteteve të Bashkuara. Përveç kësaj, ai udhëhoqi fushatën “Hands of Hope”, e cila krijoi iniciativa shumëvjeçare për mbledhjen e fondeve, ku bashkëpunoi me organizata gjigante si Mercy Corps, Americares dhe shumë të tjera, të cilat ndihmuan në transformimin e standardit të jetesës për jetimët dhe të rinjtë në rajon. Kohët e fundit, z. Lukaj themeloi Fondacionin Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në Kosovë në nder të vajzës së tij të ndjerë Adelina, e cila solli më shumë se 500,000 dollarë në pajisje mjekësore dhe furnizime të domosdoshme për Kosovën gjatë këtij viti.

Fondacioni i familjes Cami- Sponsor Platin

Fondacioni i familjes Cami është projektuar për të siguruar burime për të rinjtë në nevojë dhe meritorë në synimet e tyre edukative.

Banka Amerikane e Investimeve – Sponsor Platin

Një nga shtyllat kryesore të politikave të fuqishme të përgjegjësisë korportative sociale tek Banka Amerikane e Investimeve, është edhe përfshirja financiare dhe ngritja e vetëdijes.

Banka Amerikane e Investimeve organizon dhe mbështet aktivitetet, trajnimet, institucionet të cilat synojnë të rrisin vetëdijen financiare. Ne besojmë se në shoqërinë e sotme të bazuar në dije, arsimi është një burim kyç. Ajo siguron të ardhmen e individëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Qasja në programe për të fituar aftësi dhe për të marrë pjesë në trajnime duhet të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e talentuar pavarësisht nga gjinia, prejardhja sociale dhe edukimi i prindërve.

FINCA – Sponsor i Artë

FINCA Kosovë është institucion me përgjegjësi shoqërore, sociale, kulturore, sportive e cila vazhdimisht përkrah aktivitetet në vend, duke përmbushur misionin e saj që ka për qëllim zbutjen e varfërisë përmes zgjidhjeve afatgjate të cilat ndihmojnë njerëzit të ndërtojnë asete, krijojnë vende të punës dhe të ngrisin standardin e tyre të jetesës.
Zagragja & Associates – Sponsor i Artë

Zagragja&Associates mbështetet plotësisht në rininë kosovare për ta ngritur cilësinë e shërbimit jo vetëm për klienteët vendor por edhe për ata ndërkombëtarë dhe për këtë arsye ka qenë kontribues i vazhdueshëm i bursave të ndryshme studentore.

Meridian Express – Sponsor i Artë

Meridian Express mbështet vazhdimisht ata që kanë potencialin më të madh për të transformuar vendin tonë për të mirë. RIT Kosova (A.U.K) është një institucion edukativ shembullor që vazhdimisht krijon rrëfime të reja suksesi. Prandaj ne shprehim privilegjin dhe mirënjohjen tonë për RIT Kosovën dhe angazhohemi të mbështesim liderët e ardhshëm të vendit tonë.

Z-Mobile – Sponsor i Artë

Ne në Zmobile jemi të bindur që edukimi është çelësi kryesor i zhvillimit të një shoqërie, andaj mbesim të përkushtuar në përkrahjen e rinisë sonë në avancimin e dijeve.

Sponsorët e Argjendtë

RIT Kosova (A.U.K) gjithashtu vlerëson mbështetjen që vjen nga sponsorët tanë të çmuar të argjendtë, përkatësisht RECURA, TOK Services dhe Dr. Sharon Y. Hart.

Edhe pse mbrëmja për mbledhjen e fondeve në mbështetje të kampanjës së rrëfimit të ardhshëm të suksesit ishte mjaft produktive, RIT Kosova (AUK) shpreson se në të ardhmen më shumë biznese, fondacione dhe filantropë do t’i qasen këtij institucioni për të siguruar më shumë burime dhe mjete që u ndihmojnë studentëve të talentuar dhe të pa privilegjuar në përmbushjen e ëndrrave të tyre duke marrë cilësinë e arsimit amerikan këtu në Prishtinë, në RIT Kosova (A.U.K).

Drejtori i Zhvillimit të RIT Kosova (AUK) Nue Nikolla pohon se për shkak të vullnetit të mirë nga komuniteti i donatorëve, sponsorëve dhe mbështetësive, historikisht RIT Kosova (AUK) shpërndan bursa për rreth 65% të të gjithë studentëve të këtij institucioni dhe për vitin e ardhshëm akademik 2018/19, RIT Kosova (AUK) do të shpërndajë bursa në vlerë prej 330,000 euro si dhe do të shtojë disa mundësi të reja të bursave të sapo themeluara nga Korporatat për studentët e këtij institucioni.