LAJMI I FUNDIT:

Rishikimi i buxhetit, me disa ndryshime

Rishikimi i buxhetit, me disa ndryshime

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2017. Ky projektligj mori 61 vota për, asnjë votë kundër dhe 15 abstenime.

Nga Komisioni funksional për buxhet dhe financa si dhe nga deputetët individualisht janë propozuar 18 amendamente, të cilat janë miratuar nga pozita dhe opozita pa kundërshtime.


Në projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2017, është futur edhe fillimi i autostradës Prishtinë-Gjilan, amendament ky i propozuar nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, tha se duhet mbështetur patjetër përfshirja në buxhet e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, derisa vlerësoi kthimin e 11 milionë eurove që ishin hequr nga Fondi për sigurimet shëndetësore.

Por këto mjete tani do të përdoren për blerjen e barnave esenciale dhe shërim jashtë vendit.

“Amendamenti dy që ka qenë propozim i Komisionit që projekti për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan me këtë ndryshim shuma totale e projektit do të jetë 1 milion e 850 mijë euro, krahasuar me 1.7 milion euro propozim i komisionit dhe 150 mijë euro të cilat kanë qenë të përfshira në buxhet. Po ashtu, vlen të përmendet amendamenti 12 që ka të bëjë me mjetet për sigurimet shëndetësore në shumë prej 11 milionë euro. Në emër të komisionit falënderoj ministrinë për mirëkuptim dhe anëtarët e komisionit për kthimin e këtyre mjeteve të cilat me rekomandim të komisionit janë destinuar për blerjen e barnave esenciale dhe shërim jashtë vendit”, tha Abdixhiku.

Po ashtu, deputetët kanë miratuar edhe amendamentet 15 dhe 16 të propozuara nga Avdullah Hoti, që kanë të bëjnë, njëri me ndërtimin e Fabrikës së ujërave të zeza në Pejë dhe tjetri për ndërtimin e objektit të Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të UP-së.

Ndërsa, disa amendamente të Bekim Haxhiut, Mërgim Lushtakut dhe Labinot Tahirit janë tërhequr, pasi kanë marrë shpjegimet e nevojshme nga ministri i Financave, Bedri Hamza. /KP/

Foto: Arkiv