Pas një pauze prej tre muajsh, Zendaya është rikthyer në skenën publike në Nju Jork me një paraqitje aspak diskrete, që tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithëve

Aktorja dhe këngëtarja e njohur ngjalli interes të madh me veshjen e saj, duke dëshmuar se ndjek me kujdes prirjet e modës. Ajo doli në rrugët e Nju Jorkut me një aksesor që tashmë është paralajmëruar si një nga trendet më të mëdha të këtij dimri.


Paraqitja e saj ishte ndryshe, më e thjeshtë dhe e rehatshme, por aspak e padukshme. Në përpjekje për t’u mbrojtur nga shikimet kureshtare, Zendaya arriti efektin e kundërt, veçanërisht për shkak të detajit portokalli në kokë.

Ajo kishte veshur një bluzë gri dhe pantallona sportive, të futura brenda çizmeve të zeza deri në gju, ndërsa sipër mbante një pallto të gjerë dhe një çantë që përputhej me veshjen, transmeton Telegrafi.

Flokët dhe fytyrën e saj karakteristike i kishte mbuluar me një kapelë të mbyllur për kokë dhe qafë, duke befasuar shumëkënd me këtë zgjedhje, sidomos për shkak të ngjyrës së ndezur që tërhiqte menjëherë vëmendjen.

Edhe pse kjo është hera e parë që ajo shihet me një aksesor të tillë, nuk është hera e parë që Zendaya zgjedh elemente të pazakonshme për paraqitjen e saj, gjë që përforcon bindjen se këto kapele po rikthehen fuqishëm si trend këtë dimër.

Duke marrë parasysh temperaturat e ulëta në Nju Jork, është e qartë se ajo ka dashur të mbrohet mirë nga i ftohti, por jo edhe nga fotografët e pranishëm.

/Telegrafi/