LAJMI I FUNDIT:

Rikthehet shfaqja “Arturo Ui” e Bekim Lumit

Rikthehet shfaqja “Arturo Ui” e Bekim Lumit

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton opinionin se nga data 24 shkurt, rikthehet në repertorin e rregullt shfaqja e regjisorit të ndjerë Bekim Lumi, “Arturo Ui”.

Gjithashtu, nga data 9-13 mars 2019, ekipi i shfaqjes “Arturo Ui” do të jenë pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të teatrove në Bursa të Turqisë.


Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë në mënyrë simbolike përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit XX. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për arsye të temës që e trajton dhe të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit XX.

Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, Asistent regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografia: Majlajda Gala; skenografia: Mentor Berisha; kostumografia: Alma Krasniqi.