LAJMI I FUNDIT:

Rihapen dosjet e 1997, Gjykata e Posaçme do të rigjykojë anëtarin e bandës që vrau 4 policë

Rihapen dosjet e 1997, Gjykata e Posaçme do të rigjykojë anëtarin e bandës që vrau 4 policë

23 vite pasi drejtësia foli me vendim të formës së prerë mbi masakrën e Urës Vajgurore në të cilën u vranë katër efektivë policie dhe u plagosën dy të tjerë, Gjykata e Lartë ktheu në gjykatë dosjen e 1997-ës.

Por nga nëntë të dënuar të përjetshëm vetëm njëri prej tyre do të rigjykohet pranë Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar.


Si një nga anëtarët e bandës së 1997-ës, Fran Marashi i dënuar i përjetshëm që e ka marrë këtë verdikt në mungesë, do të përballet me gjyqtarët e posaçëm për akuzat e vrasjes së punonjësve të policisë rrëmbim personi dhe krime nga banda e armatosur.

Në të njëjtën dosje janë edhe emrat e Musa Protoduarit, Fatbardha Protoduari, shkëlqim Protoduari, Edmond Protoduari, Sokol Ndreu, Gjovalin Ndreu, Gjelosh Miri dhe Prek Mirit të gjykuar për mbi dy dekada më parë dhe që për shkak të situatës së 1997 nuk u proceduan në Berat, por në Tiranë.

Nga ky gjykim u provua se tre anëtarët e familjes Protoduari, që ishin banues në Urën Vajgurore gjatë 1997 u armatosën me armë të kalibrave të ndryshëm. Për shkak të njohjeve familje u organizua me të akuzuarin Marashi nga Oblika e Shkodrës si dhe disa tjetër nga kjo zonë, dy prej  të cilëve nuk jetojnë më.

Të dyshuarit në formës e bandës nisën grabitjet, në qershor rrëmbyen një shtetas i cili u shpëtua me ndërhyrjen e një shefi policie. Por ngjarja më e rëndë që njihet si masakra e Urës Vajgurore ndodhi në 17 qershor të këtij viti kur pas një mitingu elektoral, teksa forcat e policisë po ktheheshin në Berat, me automjete të blinduara ata u sulmuan me armë dhe predhë antitank.

Njëri nga dëshmitarët e asaj kohe i tha gjykatës se mbi blindin e policisë u hodhën lëndë djegëse dhe midis të dyshuarve ai identifikoi edhe Fran Marashin. Në blind gjetën vdekjen e menjëhershme policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami e Ilia Bano dhe u plagosën dy policët Thimi Tanku e Ylli Dhamo.

Fran Marashi iu dorëzua Shqipërisë nga drejtësia italiane në vitin 2006 dhe gjatë kësaj kohe ka kërkuar për vite me radhë rigjykim, ndërkohë që u kthye në protagonist në të një arratisjeje të dështuar pak kohë më parë.

Gjykata e Lartë sjell në vëmendje edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në këtë dosje mbi procedurat e gjykimit për familjen Protoduari mbi të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur.

Në Gjykatën e Lartë akuza e shtetit u përfaqësua nga prokurorja e SPAK, Doloresa Musabelliu e cila me shumë mundësi do ta përfaqësojë gjykimin edhe në themel./TCH