Rihanna ka festuar një moment historik në karrierën e saj, 20 vjet nga publikimi i albumit debutues Music Of The Sun, duke reflektuar mbi rrugëtimin që e çoi nga Barbadosi drejt majave të muzikës botërore.

Këngëtarja 37-vjeçare dhe themeluesja e Fenty Beauty ndau një mesazh emocionues në rrjetet sociale, ku kujtoi sakrificat dhe përkushtimin që i hapën rrugën suksesit.


“E lashë vendin tim, kulturën, ushqimin dhe familjen për të nisur një udhëtim që filloi me albumin tim të parë. Shumë prej jush më keni mbështetur që nga fillimi, e disa më jeni bashkuar më vonë në këtë rrugëtim. Jam përjetësisht mirënjohëse – secili prej jush ka luajtur një rol të rëndësishëm”, shkroi ajo.

Foto: Kopertina e albumit të Rihannës Music of the Sun/Screenshot

Albumi debutues, i publikuar në vitin 2005 pasi Rihanna nënshkroi kontratë me Jay-Z dhe Def Jam Recordings, përmbante hitin ndërkombëtar Pon de Replay, i cili arriti vendin e dytë në UK Singles Chart dhe Billboard Hot 100, shkruan DailyMail.

Ky projekt shënoi vetëm fillimin e një karriere të jashtëzakonshme, e cila më pas solli tetë albume të suksesshme, nëntë çmime Grammy, 12 Billboard Music Awards dhe nominime për Oscar e Golden Globe.

Foto: Albumi i Rihannës Music of the Sun/Screenshot

Përveç muzikës, Rihanna ka ndërtuar një perandori biznesi me markën e saj Fenty Beauty, e cila që prej vitit 2017 është shndërruar në një brand miliardësh.

Për të shënuar këtë përvjetor të veçantë, ajo njoftoi hedhjen në treg të mallrave ekskluzive dhe një set special me kuti vinili të albumeve të saj.

Në përshkrimin e saj, artistja e lindur në Barbados u shpreh: “Faleminderit për 20 vitet e para më të mrekullueshme ndonjëherë! Falënderoj Zotin, Ai ka qenë shumë bujar me mua dhe Lavdia i takon Atij”. /Telegrafi/