LAJMI I FUNDIT:

Rifillojnë në muajin tetor bisedimet tregtare SHBA-Kinë

Rifillojnë në muajin tetor bisedimet tregtare SHBA-Kinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë janë pajtuar të kthehen në tryezën e bisedimeve në Washington për të diskutuar mbi tregtinë. Do të jetë takimi i parë ballë për ballë midis dy palëve që nga përshkallëzimi i shpejtë i luftës tregtare gjatë javëve të fundit.

Diskutimet do të rifillojnë me nisjen e tetorit, siç bëhet e ditur sipas një deklarate të lëshuar në Kinë të enjten në mëngjes nga Ministria e Tregtisë. Autoritetet kineze shtuan se zëvendëskryeministri i Kinës dhe negociatori kryesor i tregtisë Liu Ai, kanë folur me Përfaqësuesin e Tregtisë amerikane, Robert Lighthizer dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin rreth bisedimeve.


Një zëdhënës i departamentit të Lighthizer konfirmoi se të dy palët biseduan dhe ranë dakord të zhvillojnë takime në kryeqytetin amerikan gjatë javëve të ardhshme. Të dy vendet thanë se do të vazhdojnë të flasin edhe përpara këtij takimi zyrtar, duke rënë dakord të “krijojnë kushte të mira për negociata”, tha Ministria e Tregtisë në Kinë. Nga ana tjetër, autoritetet e tregtisë amerikane thanë se takimet do të “hedhin themelet për një përparim domethënës”, përcjell Telegrafi.

Tregjet aziatike në Tokio dhe Shanghai u rritën përkatësisht me 2.3 për qind dhe 1.5 për qind, pas lajmit për rifillimin e bisedimeve, ndërkohë që edhe investitorët kanë mirëpritur lajmet për bisedime, veçanërisht pasi marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë tepër të paqëndrueshme në javët e fundit.

Lufta tregtare shkakton rënie të prodhimit në SHBA
Lexo po ashtu Lufta tregtare shkakton rënie të prodhimit në SHBA

Megjithatë asgjë nuk është e sigurt. Progres u arrit mes dy vendeve edhe gjatë raundit të fundit të takimeve tregtare ballë për ballë në Shanghai në muajin korrik. Por menjëherë pas atyre diskutimeve, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të vendoste 10 për qind tarifa, më vonë të rritura në 15 për qind, për importet kineze me vlerë 300 miliardë dollarë. Pekini u kundërpërgjigj me tarifat prej 5 për qind deri në 10 për qind në rreth 75 miliardë dollarë të mallrave amerikane.

Lëvizja e fundit e Washingtonit synon produktet kineze, si pajisje elektronike dhe veshje që mund t’i kushtojnë shumë konsumatorit tipik amerikan. Në një përpjekje për të zbutur goditjen për blerjet gjatë pushimeve të fundvitit, qeveria amerikane ka shtyrë zbatimin e rreth gjysmës së sanksioneve deri në 15 dhjetor.

Raundi i fundit i tarifave që vendet vendosën ndaj njëri-tjetrit hyri në fuqi të dielën. Trump tha muajin e kaluar se ai do të rrisë tarifat ekzistuese nga 25 për qind në 30 për qind në 250 miliardë dollarët e mallrave kineze në tetor. Kina gjithashtu tha se do të rifillojë tarifat për importet e SHBA në automobila dhe pjesët përbërëse të tyre po në dhjetor. /Telegrafi/