LAJMI I FUNDIT:

Rifillimi i fluturimeve-rreziku dhe mbrojtja e pasagjerëve

Rifillimi i fluturimeve-rreziku dhe mbrojtja e pasagjerëve

Sot, pas tre muajve, Aeroportit Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka rifilluar operimin me kapacitete të plota.

Ndërprerja e fluturimeve kishte ardhur si pasojë e përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe pas masave që kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës.


Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Shëndetësisë, në mbledhjen e qeverisë kishin rekomanduar hapjen e aeroportit më datë 28 të këtij muaji, duke shënuar kështu fundin e të gjitha masave të cilat ishin marrë nga qeveria e kaluar.

Sigurisht që hapja e aeroportit do të duhej të ndodhte në të njëjtën kohë kur ishin hapur edhe kufijtë tokësor dhe se vonesat e tilla ishin të pa kuptimta dhe gjithashtu të panevojshme.

Edhe pse Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për hapjen e kufirit ajror, ende shumë çështje mbeten të paqarta. Sipas vendimit të qeverisë të datës 23.06.2020, në vendimin numër gjashtë thuhet se, “rifillimi i transportit ajror dhe hapja e ANP ‘Adem Jashari’ në Prishtinë (vetëm vijat e rregullta të domosdoshme që kthehen brenda ditës) me masa të shtuara të sigurisë dhe shëndetit, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19″.

Por termi “vetëm vijat e rregullta” mbetet plotësisht i paqartë. Por çfarë nënkupton termi “vijat e rregullta”?

Linjat apo vijat ajrore ndahen në linja të rregullta dhe linja charter. Dallimi mes linjave të rregullta dhe atyre charter është se në fluturimet charter, aeroplanët mirën me qira dhe operohen nga agjenci udhëtimi.

Andaj mbetet krejt e paqartë nëse një gjë e tillë mund të jetë një lëshim nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës apo është bërë kufizim i linjave ajrore.

Sigurisht që versioni i dytë i kufizimeve të linjave ajrore do të ishte versioni më i mirë i mundshëm, kjo pasi që ekziston rrezik mjaft i madh që kompanitë e linjave charter siç janë Air Mediterrian, ALK Airlines e të cilat operohen nga agjenci jo serioze në Kosovë, të sjellin pasagjerët nga vendet evropiane dhe pastaj të mos i kthejnë në vendet e tyre.

Ndërsa fluturimet charter Prishtinë-Antalya-Prishtine siç janë Corendon Airlines, AtlasJet, Pegasus Airlines, Sunexpress, Anadolu Jet dhe Onur Air kanë respektuar të njëjtin vendim të qeverisë dhe të gjitha këto kompani kanë filluar anulimin fluturimet e tyre drejt Prishtinës që nga muaji Qershor.

Jo serioziteti i tyre është dëshmuar që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kur përfaqësuesit e këtyre kompanive kishin mbyllur telefonat dhe nuk ju ishin përgjigjur pasagjerëve të tyre, dhe të njëjtit kishin lënë pasagjerët e tyre pa zgjidhje dhe pa informacione, por edhe pa ju kthyer të hollat të cilat këta pasagjer kishin paguar për shërbime të cilat nuk u janë ofruar.

Fatkeqësisht Ministria e Infrastrukturës e cila është përgjegjëse për të mbrojtur pasagjerët e dëmtuar, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim ani pse pamjet e pasagjerëve të cilët kishin mbetur në aeroportin e Prishtinës ishin shfaqur pothuajse në të gjitha mediet kosovare.

Ndërsa sot, ndalimi i operimeve të përkohshme i këtyre linjave charter, dhe kontrolli më i madh i agjencive të cilat operojnë me këto kompani është esenciale që përveç mbrojtjes nga pandemia COVID-19, pasagjerëve të ju sigurohet edhe një fluturim i sigurt në ardhje e edhe në kthimin e tyre në vendet nga ata vijnë.

Gjithashtu, për tu parandaluar përhapja e virusit COVID-19, ministria do duhej të shtonte edhe masa të reja, duke filluar nga reduktimi i fluturimeve e deri tek ndalimi i fluturimeve të cilat mund të vijnë nga vendet të cilat infeksioni me virusin COVID-19 është i lartë. Vende të tilla janë Turqia, Suedia, Austria dhe Amerika.

Të gjitha këto masa do të ndihmonin në menaxhimin dhe kontrollin më të lehtë të virusit por edhe të pasagjerëve të cilët do të shfrytëzojnë ANP “Adem Jashari” si pikë për udhëtimet e tyre. /Gazeta Metro/