Drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka shprehur shqetësim lidhur me rezultatet e nxënësve të Kosovës në testin PISA.

Ahmeti në një postim në Facebook shkruan se analfabetizmi funksional është drejt totalitetit.


Ai shkruan se nga rezultatet e PISA-s del se 85% e nxënësve kosovarë dështuan në matematikë, 84% në lexim dhe 79% në shkencë.


Lexoni të plotë postimin e tij:

ANALFABETIZMI FUNKSIONAL DREJT TOTALITETIT

Sot dolën rezultatet e PISA-s: 85% e nxënësve kosovarë dështuan në matematikë, 84% në lexim dhe 79% në shkencë.

Po mundohem me e thjeshtëzu çka do të thotë kjo për përditshmërinë e një 15-vjeçari.

◾️ MATEMATIKË:

Për me shku në qytet janë dy mënyra të mundshme:

- Rruga A: 30 km deri në një fshat, pastaj 40 km deri në qytet

- Rruga B: 60 km drejtpërdrejt në qytet

Cila rrugë është më e shkurtër?

Fatkeqësisht, 85% e nxënësve janë të prirur me zgjedh rrugën A sepse nuk arrijnë me kuptu që fillimisht duhet me i mbledh sa bëjnë 30+40 për me kuptu që rruga B është 10 km më e shkurtër...

◾️ LEXIM:

Lexoni tekstin "Arta e kishte pritur gjithë javën piknikun e së dielës. Çantën e mbante afër shtratit që nga e mërkura. Kur u zgjua të dielën në mëngjes dhe e pa shiun nga dritarja, çantën e futi përsëri në dollap".

Pse Arta e futi çantën përsëri në dollap?

Fatkeqësisht, 84% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që Artës ia prishi shiu planet për piknik...

◾️ SHKENCË:

Dy peshqirë të njëjtë lagen me të njëjtën sasi uji. Njëri shtrihet, tjetri lihet i palosur. Pas dy orësh, peshqiri i shtrirë është i terur, ndërsa i palosuri jo, pse?

Fatkeqësisht, 79% e nxënësve nuk arrijnë me kuptu që peshqiri i shtrirë ka më shumë sipërfaqe në kontakt me ajrin dhe rrjedhimisht uji avullon më shpejt... /Telegrafi/