LAJMI I FUNDIT:

Rexhepi: Kërkesa për shkarkimin e Llukës, absurde

Rexhepi: Kërkesa për shkarkimin e Llukës, absurde

Sindikata e Punëtorëve të Telekomit ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ta shkarkojë ministrin e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, pas deklaratës së tij për gjendjen në Telekom, veçanërisht asaj të uljes së pagave të punëtorëve.

Këshilltari i ministrit Lluka, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se kërkesat e kësaj sindikate janë absurde pasi, sipas tij, kjo sindikatë kërkon ruajtjen e privilegjeve dhe përfitimeve, e jo shpëtimin e kompanisë.


Sindikata ka reaguar pas deklaratave të fundit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se disa punëtorëve të kësaj kompanie do t’u ulen pagat deri në 40 për qind.

Në komunikatën për media thuhet se, siç jeni në dijeni për zhvillimet e fundit që po ndodhin në Telekomin e Kosovës dhe deklaratat e papërgjegjshme të ministrit të MZHE-së, Valdrin Lluka, për sindikatën janë të papranueshme, qëllimkëqija dhe shumë demotivuese për të gjithë punëtorët e Telekomit të Kosovës.

Lidhur me këtë, këshilltari i lartë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se kërkesa e Sindikatës së Telekomit për shkarkimin e ministrit Lluka është absurde.

“Sindikatat e kanë autonominë e tyre të veprimit dhe mund të shtrojnë çfarëdo kërkese. Por, kjo nuk do të thotë se ata gjithmonë ia qëllojnë dhe se gjithmonë kanë të drejtë. Në rastin konkret, është absurde kërkesa për shkarkimin e ministrit Lluka, meqenëse ai që nga dita e parë e punës në këtë funksion është angazhuar për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Telekomin e Kosovës. Madje jo vetëm përmes shkurtimit të shpenzimeve për pagat e përfitimet e tjera, por me një program gjithëpërfshirës. Po ashtu, ai asnjëherë nuk ka thënë se vetëm ulja e pagave e shpëton kompaninë, por vetëm rishikimi i pagave përbrenda një pakoje masash”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se është e pakuptueshme qasja që ka Sindikata e Telekomit, meqenëse ajo kërkon ruajtjen e privilegjeve dhe të përfitimeve, e jo shpëtimin e kompanisë.

“Qasja e tillë nuk ofron zgjidhje, por vetëm e thellon krizën. Prandaj, më e arsyeshme do të ishte që edhe sindikata të kyçet në frontin e përpjekjeve për shpëtimin e kompanisë, e jo të qëndrojë kokëfortë në mbrojtjen e qasjeve që e sollën Telekomin në këtë pozitë”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik është në bashkëpunim të ngushtë me Bordin e Telekomit me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe të qëndrueshme.

“Prandaj, edhe do t’i përkrahë të gjitha masat e arsyeshme dhe shpresëdhënëse që ofron Bordi. Do të thotë, ne nuk do të ndërhyjmë padrejtësisht në punët e kompanisë, por as nuk do të qëndrojmë duarkryq në situatën kur Telekomi po rrënohet. Tekefundit, MZhE-ja dhe ministri kanë përgjegjësi ligjore që të ndërhyjnë në situata të këtilla”, tha ai. /Telegrafi/