LAJMI I FUNDIT:

Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në kultura bujqësore

Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në kultura bujqësore
Foto: Ilustrim

Reshjet e shumta të shiut të shoqëruara edhe me breshër në vise të ndryshme të vendit kanë shkaktuar dëme të mëdha në kultura bujqësore.

Fermerët nga Krusha e Madhe e Rahovecit, thonë se si pasojë e motit të ligë pothuajse të gjitha sipërfaqet e mbjella me perime janë dëmtuar, ndërsa rendimentet pritet të përgjysmohen. Sipas tyre kompensimi i dëmeve akoma nuk ka filluar, përderisa presin mbështetje nga shteti.


Muharrem Hoti, bujk nga Krusha e Madhe e Rahovecit, fshat që tradicionalisht merret me bujqësi, këtë vit i kishte të mbjella 9 hektarë me kultura të ndryshme perimore, por se reshjet e shumta të shiut ia dëmtuan pjesën më të madhe të të mbjellave. Ai rrëfen për Radio Kosovën, për dëmet e shkaktuara.

“Këtë vit kemi pas dëme prej natyrës. Më së keqi ka pësuar pjepëri e shalqini, por të dëmtuara janë edhe domatet e trangujt. Dëme ka shumë, dhe për neve janë të mëdha. Ndoshta për ata në Prishtinë, që janë në pushtet, nuk janë të mëdha, por neve na ka qitë në dy gjynj. Nëntë hektarë bashqe i kam, ama përsëri fukara jam”, tha Hoti.

Edhe bujku tjetër Muharrem Gashi, thotë se nga moti jo i mirë i janë dëmtuar shumë të mbjellat, në gjashtë hektarë tokë sa kishte mbjellë në pranverë. Ky bujk flet edhe për rendimentet dhe fitimet e këtij viti.

“Rendimentet janë 50 përqind më pak. Me këtë kohë, me këto sëmundje, rendimente nuk kemi. Unë si fermer, jo shumë i madh, kam bërë investime 6-7 mijë euro, në pranverë i kam shti në tokë. Unë tash po them, me kanë t’i nxjerri qato, po them më tepër nuk dua, se lëre më për fitime që nuk bëhet fjalë këtë vit”, tha Gashi.

Për gjendjen e bimëve, Radio Kosova ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë. Bali Lestrani, shef i Divizionit për Prodhimtari Bimore dhe Ujitje, tha se reshjet e shumta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Reshjet me intensitet të lartë, kryesisht të shiut dhe të breshrit, dëmtojnë kulturat bujqësore në rendiment dhe në cilësi. Në rendimente, kryesisht ndikon të gruri, por edhe te kulturat e tjera perimore. Po ashtu, mund të shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme, nga reshjet e shumta”, u shpreh Lestrani.

Bujqit Gashi e Hoti, thonë se edhe pse janë bërë vlerësimet e dëmeve, të cilat janë të mëdha, ata akoma nuk janë kompensuar. Ndërkohë që ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshrit.

Përveç në Rahovec, dëme ka pasur edhe në komunat të tjera të vendit. Sipas Qeverisë dëmet e shkaktuara në bujqësi nga shiut e breshëri, llogaritet të jenë mbi shtatë milionë euro. /Telegrafi/