LAJMI I FUNDIT:

Reshitaj në Estoni: Mbrojtja e mjedisit, sfidë dhe mision global

Reshitaj në Estoni: Mbrojtja e mjedisit, sfidë dhe mision global

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, po merr pjesë në Konferencën Botërore të Mjedisit, që po mbahet në Tallin të Estonisë, e organizuar nga lëvizja botërore “Let’s Do it World” e ku po marrin pjesë delegacione dhe organizata nga 108 shtete të botës.

Në prezantimin e saj në këtë konferencë, ajo foli për rëndësinë që ka një mjedis i pastër duke vlerësuar se është një, i pandashëm dhe nuk njeh kufi, andaj përtej dallimeve etnike e fetare duhet të jemi bashkë në shpëtimin e mjedisit nga ndotja.


“Në këtë linjë unë kam propozuar një takim të ministrave të mjedisit nga vendet fqinjë për mundësinë e realizimit të një projekti të përbashkët për trajtimin e mbeturinave dhe shndërrimin e tyre ne gaz, energji dhe ngrohje qendrore”, deklaroi ministrja Albena Reshitaj.

Sa i përket mjedisit në Kosovë, Reshitaj ka thënë se si shtet i ri, kemi shënuar progres në përmirësimin e gjendjes, si në aspektin e harmonizimit të politikave dhe ligjeve me standardet e BE-së ashtu edhe në zbatimin e tyre.

Ajo duke falënderuar organizatoret për organizimin e cilësoi këtë konferencë si shembullin më të mirë për të treguar përkushtimin tonë në luftën kundër ndotjes dhe krijimin e zonave te gjelbra për të cilat kemi nevojë me shumë se kurrë.

Gjatë kësaj vizite zyrtare në Estoni, Reshitaj do të ketë takime edhe me krerët institucional të shtetit nikoqir si dhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme duke përfshirë edhe ato që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

/Telegrafi/