LAJMI I FUNDIT:

Renault dhe Daimler shfaqin shenjat e para të rimëkëmbjes financiare

Renault dhe Daimler shfaqin shenjat e para të rimëkëmbjes financiare

Renault e Daimler në raportet e tremujorit të tretë konstatojnë përmirësim të dukshëm krahasuar me gjysmën e parë të vitit edhe pse me shifra ende të ulëta nga viti 2019. Tendenca në ngjitje po i rrit pritshmëritë.

Dy nga prodhuesit kryesorë të automjeteve në Evropë bënë publike raportet e tyre të tremujorit, duke treguar shenjat e para të rimëkëmbjes pas një tremujori katastrofal. Tregu botëror i automobilave pa një tendencë rritjeje, nga një rënie prej 28 për qind në gjysmën e parë të vitit në një rënie prej 4 për qind në tremujorin e dytë.


Kompania franceze Renault dhe ajo gjermane Daimler-Benz publikuan shifra që tregojnë një situatë më të keqe në lidhje me shitjet dhe të ardhurat sesa në vitin 2019, por me të dhëna dukshëm më të mira se gjysma e parë e vitit 2020 gjatë kulmit të krizës së pandemisë COVID-19.

Në raportin e saj mbi tremujorin e tretë të vitit, Renault njoftoi se të ardhurat e kompanisë kapin vlerën e 10.4 miliardë eurove me një rënie prej 8.2 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shifrat e shitjeve ishin pak më të mira – me 806.320 njësi të shitura – rënie me vetëm 6.1 për qind nga e njëjta periudhë në vitin 2019.

Kjo markë pati rezultate të mira veçanërisht në Evropë me 2.9 për qind më pak njësi të shitura në një treg me rënie prej 5 për qind. Renault gjithashtu pa një rritje të konsiderueshme në shitjet e automjeteve elektrike, në shitjet e makinës së saj ZOE me 157 për qind, ekuivalente me mbi 27 mijë njësi.

Daimler parashikon fitime për vitin 2020

Kompania Daimler-Benz pa gjithashtu një tendencë në rritje, që e shtyn kompaninë të parashikojë fitime deri në fund të vitit. Ndërsa shitjet dhe të ardhurat mbetën nën shifrat e vitit 2019, ato u rritën nga gjysma e parë e vitit dhe fitimet e kompanisë para interesit dhe taksave (EBIT) tejkaluan madje ekuivalentin e vitit 2019.

Sidoqoftë, në vitin 2019 EBIT ishte veçanërisht i ulët, thuajse poshtë 60 për qind, për shkak të një tregu të dobësuar të automjeteve dhe pasojave ligjore nga skandali i emetimeve të naftës.

Fitimi operativ për kompaninë u rrit me 14 për qind, duke arritur vlerën 3.7 miliardë eurove falë shitjeve të forta në Kinë dhe uljes së kostove. Daimler pret rezultate të ngjashme për tremujorin e katërt, rezultate të cilat do të çonin në një rikthim të shitjeve ndërmjet 4.5 për qind dhe 5.5 për qind.

“Me këtë vrull, ne jemi në rrugën e duhur për ta bërë biznesin tonë më hermetik, Transformimi i Daimler, megjithatë, është një garë në distancë të gjatë. Ne jemi duke e mbajtur ritmin me fokus dhe disiplinë të madhe”, shpjegon shefi i financave i Daimler, Harald Wilhelm.

Ndërkohë, përpjekjet e ristrukturimit dhe zvogëlimit të ndërmarrjes vazhdojnë.

Wilhelm thotë se, “pothuajse dy mijë punëtorë janë pajtuar për largim vullnetar, program i propozuar nga Daimler me qëllim kufizimin e vendeve të punës që shkurtohen në mënyrë të njëanshme”.

Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve, tregu për automjetet e bizneseve shënoi gjithashtu një kthesë të fortë.

Në të gjithë Bashkimin Evropian regjistrimet për këtë kategori u rritën me 13.3 për qind krahasuar me shifrat e shtatorit të kaluar, me një rritje veçanërisht të fortë në Itali me 17.8 për qind, Gjermani me 17.6 për qind dhe Francë me 15.1 për qind. /Deutsche Welle/