LAJMI I FUNDIT:

Remzije Zeqiraj betohet si Komisionere parlamentare e FSK-së

Remzije Zeqiraj betohet si Komisionere parlamentare e FSK-së

Remzije Zeqiraj ka dhënë betimin para deputetëve në seancën e Kuvendit të enjten, si Komisionere parlamentare e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Betohem solemnisht se do t’i kryej me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar me ligj. Se do të mbroj dhe avancoj respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për rekrutët dhe kadetët ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Betohem”, ka thënë Zeqiraj.


Ajo është zgjedhur në këtë pozitë në seancën e Kuvendit më 14 shkurt me mandat 5-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Komisioneri, bazuar në ligj, ndër tjera e ka autoritetin që të trajtoj ankesa dhe të kërkojë informata dhe qasje në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kushdo që zgjidhet në këtë pozitë ka të drejtën të “kërkoj informata dhe qasje në institucione tjera në lidhje me pjesëtarin e FSK-së; të thërras në dëgjim, apo të intervistoi ankuesin, dëshmitarët, apo palët tjera të përfshirë në proces të ankesës; të kërkoj mbështetje me ekspertizë nga ekspertët; të procedojë tek organet përgjegjëse dosjen e një çështjeje penale apo disiplinore në rastet e dyshimta për shkelje legjislacionit në fuqi; si dhe t’i vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitet e FSK-së, në çdo kohë, me dhe pa paralajmërim”.

Sipas ligjit, Komisioneri zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën e nevojshme në votimin e parë, organizohet votimi i dytë, në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin me të madh të votave në votimin e parë. Nëse në votimin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet, Kuvendi në afat prej 60 ditësh, duhet të shpallë sërish konkursin për Komisioner. /Telegrafi/