Regjistrohen temperatura rekord në pjesë të SHBA-së, përhapen zjarret – po bëhen evakuime të njerëzve

Zjarret në pyje janë përhapur në Shtetet e Bashkuara perëndimore dhe po regjistrohen temperaturat rekord.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shumë qytetarëve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre dhe zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në kushte ekstreme.
Ndërkohë bëhet e ditur se dy zjarrfikës gjetën vdekjen në rrëzimin e një aeroplani. E gjitha ndodhi dje rreth mesditës me kohën lokale, dhe më shumë informacion nuk dihen.
Siç vënë në pah mediat, zjarret po kërcënojnë gjithashtu kabllot e energjisë që dërgojnë energji elektrike në Kaliforni dhe shërbimet u bëjnë thirrje qytetarëve të kursejnë energji elektrike.
Si pasojë, miliona njerëz në SHBA jetojnë nën paralajmërimin e nxehtësisë ekstreme.
Shërbimi Kombëtar i Motit këshilloi banorët të pinë shumë ujë dhe të qëndrojnë në zona me ajër të kondicionuar. /Telegrafi/



















































