Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, do të jetë i pezulluar për El Clasicon e së dielës kundër Real Madridit, pasi është refuzuar apeli i klubit për të anuluar kartonin e tij të kuq kundër Gironas.

Trajneri gjerman u ndëshkua me dy kartonë të verdhë nga gjyqtari Gil Manzano gjatë fitores emocionuese 2-1 kundër Gironas fundjavën e kaluar.


Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) tani ka konfirmuar mungesën e Flick për El Clasicon më 26 tetor, edhe përkundër apelimit nga klubi katalunas.


“Është e përshtatshme të rrëzohet kërkesa për anulimin e ndëshkimit të dyfishtë që është objekt i kësaj ankese”, lexohet fillimisht në deklaratën e RFEF.

“Rrjedhimisht, vendoset të mbështeten pasojat disiplinore që rrjedhin nga përjashtimi i z.Hans-Dieter Flick, duke vazhduar me vendosjen e një pezullimi prej një ndeshjeje siç parashikohet në nenin 120 të Kodit Disiplinor të RFEF, së bashku me gjobat shtesë përkatëse në përputhje me nenin 52”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

telegrafi sport app