Sulmuesi 19 vjeçar ka debutuar në fitoren prej 2-0 kundër MK Donsit në fillim të këtij sezoni.

Bojaj kishte shkuar në Angli si refugjat nga Kosova, kurse që nga hyrja në akademinë e Huddersfield Townit, ka shkëlqyer në ekipet grupmoshave të kësaj akademie, sidomos në sezonin 2013-14, në të cilin kishte shënuar plot 25 gola, shkruan “Examiner”.


Në një intervistë për këtë gazetë, Florent Bojaj, i njohur ndryshe si Flo Bojaj, ka treguar për momentin e debutimit të tij në ekipin e parë të Huddersfield Townit.

“Është një udhëtim i gjatë. Kështu, kur më pyetën nëse do të duhej të vinin (prindërit), u thash jo, sepse mendoja se nuk do të aktivizohesha. Por, më pas i kam pasur disa thirrje të humbura nga babi im pas ndeshjes, dhe besoj se ai e dinte se çka kishte ndodhur tashmë”, ka thënë Bojaj rreth debutimit të tij.

Ai ishte bashkuar dy vite më parë me skuadrën e Huddersfieldit, pasi ishte zbuluar nga një skaut i kësaj skuadre dhe pas tre javë testimesh, Bojaj kishte bindur drejtuesit e klubit që ta mbanin.

“Duhet të them se nuk e kam ditur vërtetë se ku ishte Huddersfieldi. Dhe nuk e dija as se si të përkujdesesha për veten time. Klubi më kishte vendosur në një familje të dashur në Marsh, dhe unë kisha nevojë për një nënë të dytë, të jem i sinqertë. Tani jam përmirësuar, por ende gatuaj pulë dhe pasta, dhe për një futbollist supozoj se nuk është edhe keq”, është shprehur Bojaj për rrugëtimin e tij si futbollist.

Flo ka bërë progres të madh në lojën e tij që nga bashkimi me akademinë e Townit, në të cilën ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga stafi i trajnerëve, transmeton Koha.net.

“Nuk kam qenë nëpër akademi para se t’i bashkohesha Townit. Por, trajnerët kanë punuar shumë me mua në mënyrë që të arrijë në shpejtësinë e duhur, dhe gjërat shkuan shumë mirë për mua në sezonin e parë në të cilin kisha shënuar 25 gola. Fillova të punoj me skuadrën që i zhvillonte futbollistët dhe Frankie Bunn (ish-sulmues) ka qenë i jashtëzakonshëm me mua”, ka thënë Flo për “Examiner”.

“Të hyja në lojë kundër MK Donsit për një moment isha shumë nervoz, por vetëm provova që të kujtoj se çka më thanë stafi i trajnerëve para se të hyja. Ata më thanë që të bëja presion dhe të mos e teproja me mbajtjen e topit. Ishte e jashtëzakonshme që të përfshihesha në këtë takim, dhe gati sa nuk shënova nga pasimi i Sean Scannell, por nuk arrita që të zgjatesha mjaftueshëm që të pranoja topin. Më pas arrita që ta lexojë pasimin e portierit kundërshtar dhe ta vendos Jamie Patersonin në një pozitë të mirë shënimi, që ai e bëri për mrekulli”, ka përfunduar Bojaj.

Bojaj, i cili veç sa ka filluar karrierën e tij profesionale, tashmë është paraqitur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë U-17. 

telegrafi sport app