LAJMI I FUNDIT:

“Referendum kundër lojërave të fatit në Tetovë”, Avziu: Kjo zymti ka shkatërruar familjet tona

“Referendum kundër lojërave të fatit në Tetovë”, Avziu: Kjo zymti ka shkatërruar familjet tona

Lëvizja “Antibixhoz” sot në Komunën e Tetovës ka organizuar panel diskutimi me profesionistë të sferave të ndryshme në lidhje me shpalosjen e aktivitetit të radhës, gjegjësisht referendum popullor që pritet të realizohet në periudhën në vijim kundër lojërave të fatit në vend, raporton Nistori.

“Sot, do të japim sfidën e radhës, domethënë referendumin gjithpopullor i cili do të mbështetet dhe do të argumentohet më vonë. Nga ky debat do të nxirren konkluza, kështu nga sot, ne, dhe Këshilli (i Tetovës) do të obligohet që bashkërisht të zgjedhim çështjen e lojërave të fatit. Do të obligojmë Këshillin komunal dhe me çdo kusht të zgjedhim këtë problem të kamotshëm”, – deklaroi përfaqësuesi i Antibixhozit, Xhemal Abdiu.


Sipas tij, propozimin që e dha Qeveria për largimin e lojërave të fatit nga objektet arsimore dhe fetare ishte 500 metra, por më 13 nëntor, Antibixhozit i është dërguar email që edhe ai propozim është tërhequr. Gjë për të cilën është diskrepancë dhe kjo ka nxitur që ata të organizojnë panel diskutimi për kërkesë për referendum të mundshëm kundër bixhozit në Tetovë dhe më gjerë.

Ai shtoi se organizimin e referendumit do ta fillojnë nga Komuna e Tetovës me ndihmën e Këshillit komunal, por atë shembull do të duhet ta ndjekin edhe komunat tjera të Pollogut dhe më gjerë.

Në lidhje me mundësitë ligjore nëpërmjet Këshillit komunal për organizimin e referendumit ndaj lojërave të fatit, profesori Qebir Avziu tha se mesazhi i diskutimit është që këtë referendum ta fillojë Komuna e Tetovës dhe jo Lëvizja Antibixhoz, raporton Nistori.

“Organizimi i këtij referendumi duhet të bëhet nga Komuna e Tetovës, ku qytetarët do të deklarohen se a dëshirojnë në territorin e tyre të kenë lojërat e bixhozit – kazinotë apo janë kundër. Ky referendum, ne jemi të vetëdijshëm se në aspektin juridik nuk ka ndonjë fuqi obligative për Qeverinë, Kuvendin, sepse ky është shtet unitar dhe nuk jemi të organizuar në kantone. Por, sado kudo mesazhi i përcjellë Qeverisë se, qytetarët e këtij vendi janë kundër lojërave. Besojmë se do të ketë efekt pozitiv.” – theksoi profesor Azviu.

Sipas, profesorit edhe pse Ligji i tërhequr për lojërat e fatit i cili ishte futur në procedura parlamentare, tani nuk i mbetet Antibixhozit dhe komunitetit që të shkojë në versionin e referendumit.

“Komuna në aspektin fakultativ mund të organizojë referendum. Nuk ka ndonjë kompetencë dhe autorizim të madh lidhur me lojërat e fatit. Ligji për lojërat e fatit, të gjitha ingerencat i bart në Ministrinë e Financave – DAP-it. Të gjitha autorizimet me këto lojëra në tërë territorin e RMV-së i ka Ministria e Financave. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Komuna ka shumë pak ingerenca dhe kompetenca, por qëllimi është që ne t’i dërgojmë një mesazh Qeverisë nëpërmjet Komunës se, qytetarët nuk i dëshirojnë këto lojëra në territorin e vet”, – shtoi profesori.

Pse Qeveria lejon shtimin e lojërave të fatit në vend?

Fshehtësia pse Qeveria e lejon shtimin e lojërave të fatit në vend është se Qeveria një numër të madh të mjeteve financiare që derdhen në buxhetin e shtetit, pikërisht derdhen nga lojërat e fatit.

“Më mirë të mbesin mjetet te qytetarët, një pjesë në buxhet, një pjesë jashtë vendit tonë. Ideja dhe qëllimi është që mjetet të ngelin te qytetarët dhe sa më parë këto lojëra të fatit të largohen nga vendi ynë” – vlerëson profesori universitar.

Pritshmëritë e referendumit?

Të pyetur nga Nistori se cilët janë pritshmëritë e Antibixhozit për referendumin, Avziu tha se nëse komuna do ta mbështeste atë, shpreson se 90% e qytetarëve do të shpreheshin kundër lojërave të fatit.

“Ne jemi të sigurt që nëse do të organizohej dhe komuna do ta përkrahte, megjithëse kjo ka një kosto për organizimin e referendumit, mbi 90% e qytetarëve do të përgjigjeshin me atë se nuk i dëshirojnë këto lojëra. Ne kemi shumë familje, shumë anëtarë të cilët kanë vërtetë tmerr të madh nga këto lojëra. Nëpër vendet ku organizohen këto lojëra, personat që vizitojnë kazinotë kanë probleme të mëdha familjare, si në aspektin financiar, si në aspektin e dhunës në familje, si në aspektin e veprave penale. Domethënë, këto lojëra e kanë zymtua jetën shumë, prandaj shoqëria duhet të vetëdijesohet…Ne jemi të sigurt se, nëse këto do të mbylleshin, më shumë para do të derdheshin te popullata”, – tha ndër të tjera profesori.

Sipas profesorit universitar Bashkim Selmani, shteti nuk mban përgjegjësi për pasojat e lojërave të fatit, por më tepër është i interesuar për përfitimin.

“Nëse e marrim dëmin që e shkaktojnë aktualisht (lojërat e fatit), shpresojmë që ky ligj duhet definitivisht të tërhiqet dhe të ketë plotësim shtesë, i cili do të minimizonte devijimet, pasojat, shkatërrimin e rinisë dhe të miturve. Për arsye se të gjithë të rinjtë dhe të miturit janë të prekur nga këto rrethana. Shikoni sa tërheqëse janë reklamat, bëjnë që të gjithë fëmijët të tërhiqen nga propaganda dhe vlerësimet janë se fëmijët bëhen kureshtarë dhe kjo i nxit të futen në këto lojëra.” – tha Selmani.

A do ta mbështesë financiarisht Komuna e Tetovës referendumin ndaj lojërave të fatit?

I pari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para medias tha se ai po angazhohet që nga fillimi i mandatit të tij, konkretisht për çështjen e lojërave të fatit dhe se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, kompetencat komunale, me qëllim, që njëherë e përgjithmonë këto të largohen nga Tetova.

“Do të gjejmë mënyrë të organizimit të referendumit edhe për këtë çështje që ndërlidhet me ingerencat e komunës – si pushtet lokal. Komuna ka të drejtë të organizojë referendum për çështje lokale apo çështje që janë ingerencë e komunës. Jemi në konsultim me ekspert të çështjes që të gjejmë bazë ligjore që komuna të organizojë referendum. Sa i përket aspektit financiar, sigurisht për ne si pushtet lokal, edhe përkundër gjendjes financiare të cilën gjendemi, do të gjejmë mënyrë dhe formë, që gjithë këtë aktivitet ta organizojmë me sukses dhe përfundimisht në Tetovë t’i largojmë këto veprimtari të dëmshme për shoqërinë”, – theksoi Kasami.

Kur pritet të mbahet referendumi?

“Është çështje formale – procedurale, nuk mund prej tash të them. Fillimisht, duhet ta gjejmë bazën ligjore, pastaj formën e organizimit të tij”, – shtoi Kasami.

Kasami, në lidhje me reklamimin e kazinove tha se, komuna ka propozim – ndryshim të rregullores për reklamim dhe nëse Këshilli komunal vendos që ta miratojë, ideja është që reklamat të cilat janë për kazinotë dhe lojërat e fatit – çmimi, taksat komunale ndaj reklamave të dhjetëfishohen. Kjo, sipas Kasamit do t’ua pamundësonte punën kazinove apo të paktën do t’ua vështirësonte punën dhe aktivitetin e tyre.

Në panel diskutimin e sotëm në Komunën së Tetovës ishin të ftuar nga Antibixhozi edhe ministri i Financave, kryetari i Komisionit për financim dhe buxhet, kryetari i Parlamentit, por prezent nuk ishte asnjëri qeveritar. /Nistori/

Në trend Lajme

Më shumë
Zyrtare: Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Zyrtare: Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Lajme
BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

Lajme
Zbulohet receta e dhënë nga mjeku neuropsikiatër për nënën që u vetëvra me 3 fëmijët në lumin Buna

Zbulohet receta e dhënë nga mjeku neuropsikiatër për nënën që u vetëvra me 3 fëmijët në lumin Buna

Lajme
Paguhen, por nuk punojnë: Dy toksikologët

Paguhen, por nuk punojnë: Dy toksikologët "joekzistentë" të QKUK-së

Shëndetësi
Vajza ther me thikë babain e saj në Shtime

Vajza ther me thikë babain e saj në Shtime

Kronika e Zezë
S’do të dëgjohet dëshmitari i planifikuar për të premten në rastin Thaçi dhe të tjerët, pranohen dëshmitë e tij e dhënë më parë

S’do të dëgjohet dëshmitari i planifikuar për të premten në rastin Thaçi dhe të tjerët, pranohen dëshmitë e tij e dhënë më parë

Drejtësi
Kalo në kategori