LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti i respektit

Reciprociteti mund të shpallet fjala e vitit 2011. Kjo fjalë ka qenë ndër më të përdorurat gjatë këtij viti në ligjërimin publik. Një kërkim i thjeshtë në Google i nxjerrë rreth 159,000 rezultate për këtë fjalë dhe kërkimi për frazën “reciprociteti me Serbinë” nxjerrë rreth 5,070 rezultate. Për shkak të kësaj fjale janë lënduar shumë njerëz dhe një polic ka humbur jetën në detyrë. Por çfarë në thelb nënkupton kjo fjalë? Pse është aq e rëndësishme për Kosovën?

Në fakt, nëse mendojmë më thellë e shohim se kjo fjalë nuk ka kuptim pa një fjalë tjetër të rëndësishme, respektin. Kjo fjalë ka të bëjë me respektin sidomos në rastin e Kosovës e të shqiptarëve. Ja pse.


Ka dhe më keq se urrejtja

“Daily Show” është emisioni humoristik më i shikuar në Amerikë. Udhëheqësi i këtij emisioni Jon Stewart, është një nga humoristët më të popullarizuar në të gjithë botën dhe bën një punë të shkëlqyeshme ku satirizohet politika. Ky ka botuar një libër satirik i cili përveç politikës amerikane flet edhe për çështje botërore. Në pjesën për Evropën lindore ka një shpjegim shumë të shkurtër për politikën në këtë rajon ku bëjmë pjesë ne. “Secili e urren secilin dhe të gjithë i urrejnë shqiptarët”, ky është shpjegimi. Ky shpjegim satirik dhe ndoshta cinik i politikës në këtë pjesë të botës, jo që nuk është edhe i pavërtetë. Një gjë e tillë mund të vërehet edhe nga statistika e thjeshtë e vendeve të Evropës lindore që e kanë njohur Kosovën. Pothuajse të gjitha shtetet Europiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë në Evropën lindore.

Se shqiptarët janë të urryer nga fqinjët e tyre vërehet në sondazhet që synojnë ta matin tolerancën e një populli. Kjo bëhet përmes pyetjeve lidhje me gatishmërinë e njerëzve për të pasur fqinj një familje të një grupi etnik tjetër, ose për të punuar bashkë me dikë nga grupi tjetër etnik. Në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, shqiptarët rangohen në nivel pothuajse të njëjtë me romët sa i përket “pëlqyeshmërisë”.

Ngjashëm, një mënyrë e shpjegimit të marrëdhënieve ndëretnike në ish-Jugosllavi thotë se edhe pse të gjithë popujt janë urryer me njëri tjetër, të gjithë kanë rezervuar një përçmim të veçantë për shqiptarët. Pra serbët dhe kroatët janë urryer mes vete dhe janë vrarë, por e kanë respektuar njëri tjetrin si komb. Kurse kur është fjala për shqiptarët, fjala respekt nuk bie ndër mend kur mendon për mënyrën në të cilën mendojnë ish-jugosllavët për ta.

Albanofobia

Dhe fatkeqësisht ky fenomen nuk ndalon në kufijtë e ish-Jugosllavisë. Meqenëse propaganda apologjetike e politikave gjenocidale të Serbisë së madhe është përhapur dhe vazhdon të përhapet papenguar përmes internetit, ajo ka gjetur një audiencë të re në Evropë. Terroristi djathtist Breivik ishte frymëzuar – sipas vetëdeklarimit të tij – nga apologjeti Nr. 1 i gjenocidit ndaj boshnjakëve e shqiptarëve, Srdja Trifkoviq. Për ata që nuk e njohin, Trifkoviq ishte “zëdhënës jozyrtar” i Republika Srpska, përfaqësues i këtij entiteti në Londër, këshilltar i Presidentes së saj, dhe krimineles së dënuar të luftës, Biljana Plavshiq dhe Vojisllav Koshtunicës. Pra përçmimi i shqiptarëve po përhapet te e djathta ekstreme në Evropë.

Gjithashtu, edhe e majta ekstreme europiane vazhdon – duke jetuar në iluzionin e shkëlqyeshëm të “anti-imperializmit amerikan” – të paraqesë një version të njëanshëm të ngjarjeve në ish-jugosllavi duke minuar argumentet humaniste të luftës dhe qëndrimin e shqiptarëve në sytë e botës, dhe duke i çuar ujë mullirit të palodhshëm të nacionalizmit serb. Pra, shqiptarët, që britaniku Pikok, i kishte quajtur “kombi bonjak i Evropës”, sa i përket opinionit publik evropian, tash gjenden në mes kudhrës së papërgjegjshme të majtizmit ekstrem dhe çekanit racist të djathtizmit ekstrem. Dhe përpjekja jonë për të paraqitur një fytyrë të zbardhur para botës po vështirësohet si nga dështimi marramendës i politikës tonë për të përmirësuar gjendjen tonë, ashtu edhe nga pakësimi i miqve tanë, siç u pa nga vdekja e humanistëve të mëdhenj Hitchens dhe Havel.

Tashmë flitet për një albanofobi, apo frika nga shqiptarët. Të gjithë ata që kanë jetuar jashtë vendit, apo të paktën që kanë udhëtuar, mund të dëshmojnë për këtë, besoj. Albanofobia është shumë e ngjashme me antisemitizmin, pikërisht për shkak se drejtohet kundër një populli që është ndryshe nga të tjerët. Shqiptarët, si hebrenjtë, popull pa asnjë komb tjetër “vëlla” ose “kushëri” vërtetë janë jetim në shumë aspekte. Edhe pse kultura është, natyrisht, e ngjashme me popujt fqinjë të rajonit, dallimet gjuhësore bëjnë që të krijohet një averzion dhe frikë nga “e pakuptueshmja” që paraqesin shqiptarët.

Kësaj duhet t’i shtohet edhe një dozë e islamofobisë e cila ndihmohet shumë nga propaganda që i paraqet shqiptarët si ekstremistë. (Dorën në zemër, këtu nuk ndihmon as propaganda “pro-shqiptare” e atyre që i paraqesin shqiptarët si shumë të dhënë pas fesë duke shtrembëruar realitetin, si psh një dokumentar nga EBRU TV turk. Si dhe religjionizimi i rastit të Kosovës nga disa akterë ndërkombëtarë të tij, për të fituar poena politikë).

Respekti i vetvetes

Pra, siç u pa, ka dhe më keq se urrejtja, e ajo është përçmimi. Kur je i përçmuar, domethënë nuk je i denjë as për urrejtje. Dhe këtu është thelbi nga ku del “reciprociteti”. Kjo fjalë mbi të gjitha është një kërkesë për respekt. E për të fituar respektin e të tjerëve, duhet të fillojmë ta respektojmë veten. Siç u pa nga episodis veror i reciprocitetit, nëse e respekton veten të respektojnë edhe të tjerët. Fatkeqësisht, liderët tanë nuk gjejnë uzdajë të mjaftueshme për respekt reciprok të aplikueshëm. Ndoshta për shkak të nevojës së madhe për t’u fotografuar me liderë të huaj, nuk hezitojnë të shkelin në vetë-respektin e dinjitetin e këtij populli. Sidoqoftë, presioni i madh publik tregon se qytetarët kanë mjaft vetë-respekt për të deklaruar se “S’ka problem, mund të na urreni; por do të na respektoni”.

(Autori është Drejtor i Institutit Ballkanik të Politikave – IPOL. Opinionet janë personale)