Refuzimi publik i Vitinha për t’iu bashkuar Real Madridit gjatë verës ka ndryshuar planet e klubit madrilen në tregun e transferimeve.

Mesfushori portugez i Paris Saint-Germain e mbylli qartë mundësinë e një transferimi në “Santiago Bernabeu”, duke e quajtur “marrëzi” një ndryshim klubi në këtë moment të karrierës së tij.


Pas këtij qëndrimi, drejtuesit madrilenë kanë vendosur të fokusohen te objektivi i tyre i radhës, mesfushori argjentinas Enzo Fernandez, aktualisht pjesë e Chelsea.

Presidenti Florentino Perez e ndjek prej kohësh lojtarin argjentinas, që nga periudha kur ai aktivizohej te River Plate.

Sipas raportimeve, Real Madridi po përgatit një ofertë rreth 120 milionë euro për ta bindur klubin londinez gjatë afatit kalimtar të verës.

Ideja e klubit është që Fernandez të sjellë më shumë kreativitet dhe organizim në mesfushë, duke formuar një repart të balancuar së bashku me lojtarë si Jude Bellingham, Federico Valverde dhe Eduardo Camavinga.

Në moshën 25-vjeçare, kampioni i botës me Argjentinën konsiderohet një nga mesfushorët më të kompletuar të momentit, falë aftësisë për të kontrolluar ritmin e lojës dhe për të lidhur repartet në fushë.

Megjithatë, Chelsea nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej yjeve të tij, pasi Fernandez ka kontratë afatgjatë me klubin anglez deri në verën e vitit 2032.

Për këtë arsye, çdo transferim i mundshëm do të kërkonte negociata të vështira mes dy klubeve, madje edhe një presion të mundshëm nga ana e vetë lojtarit nëse dëshiron të largohet nga “Stamford Bridge”.

Real Madridi shpreson se prestigji i klubit dhe ambicia sportive për të fituar trofetë më të mëdhenj evropianë mund ta bindin mesfushorin të konsiderojë kalimin në “Santiago Bernabeu”.

Nëse operacioni realizohet për shumën e përfolur prej rreth 120 milionë eurosh, transferimi i Enzo Fernandez do të ishte një nga lëvizjet më të mëdha të afatit kalimtar të ardhshëm.

Drejtuesit e klubit madrilen besojnë se një organizator i këtij niveli mund të jetë pjesa që i mungon mesfushës së ekipit për të ruajtur dominimin në futbollin evropian në vitet e ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app