LAJMI I FUNDIT:
Prishtina 29° clearsky_day

Rama i reagon kompanisë “Pastrimi”: Sonte nis pastrimi i qytetit – sabotazha nuk kalon

Rama i reagon kompanisë “Pastrimi”: Sonte nis pastrimi i qytetit – sabotazha nuk kalon

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me ndërprerjen e mbledhjes së mbeturinave në kryeqytet, duke akuzuar ndërmarrjen publike “Pastrimi” për sabotim të hapur politik dhe keqmenaxhim.

Në një deklaratë publike, Rama tha se sonte do të nisë aksioni për largimin e mbeturinave nga qyteti, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat alternativë që Komuna ka në dispozicion.

“Sabotazha nuk kalon! Situata e krijuar rrezikon shëndetin publik dhe nuk do të tolerohet më. Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik,” u shpreh kryetari Rama.


Sipas tij, përkundër mbështetjes financiare të konsiderueshme nga Komuna për ndërmarrjen “Pastrimi”, menaxhmenti i saj ka keqpërdorur fondet publike për interesa të ngushta.

Mbështetja financiare për “Pastrimin”:

11.5 milionë euro të hyra direkte nga Komuna,

1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj,

3,800 kontejnerë të rinj të financuar nga Komuna,

400,000 euro në subvencione shtesë.

Rama akuzon menaxhmentin për rritje të pagave për drejtuesit, punësime politike dhe refuzim të qëllimshëm të nënshkrimit të kontratës së shërbimeve me Komunën, edhe pse janë ftuar zyrtarisht që në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025.

Ai kujtoi se kishte ftuar një seancë të jashtëzakonshme më 13 maj për të subvencionuar pagat e punëtorëve të “Pastrimi”-t me 300,000 euro, por seanca dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës.

Kryetari i Prishtinës mohon pretendimet për borxhe

Deklaratat e menaxhmentit të “Pastrimi”-t se Komuna i ka borxh 2.7 milionë euro u cilësuan si “të pavërteta” nga Rama, i cili theksoi se Komuna ka zero borxh ndaj ndërmarrjes.

“Skandaloz është fakti se kjo ndalesë e shërbimeve vlen vetëm për Kryeqytetin – kjo tregon qartë motivet politike pas vendimit,” tha Rama.

Ai njoftoi se Komuna është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.

“Aksioni për pastrim të qytetit do të nis sonte”, tha Rama./Telegrafi/