LAJMI I FUNDIT:

Reagon Presidenti Meta: Nuk është momenti për forcë por për dialog

Reagon Presidenti Meta: Nuk është momenti për forcë por për dialog

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në një deklaratë për mediet ai tha se qëllimi i shtyrjes së zgjedhjeve ka si qëllim qetësimin e situatës dhe se bën thirrje për dialog mes palëve.


“U bënë dhjetë ditë që është në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, me qëllim qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Theksoj sërish se nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Sërish insistoj me forcë për rëndësinë e dialogut mes palëve dhe njëkohësisht gatishmërinë time për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë.”, tha Meta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një interviste për “Al Jazeera”, ka folur lidhur edhe me vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit duke e konsideruar dekretin e Presidentit Meta të paprecedentë.

Rama për Al Jazeera: Zhbërja e dekretit për zgjedhjet e paprecedentë
Lexo po ashtu Rama për Al Jazeera: Zhbërja e dekretit për zgjedhjet e paprecedentë

“Kjo nuk është ajo që Shqipëria meriton dhe kjo nuk ka të bëjë me të ardhmen. Sepse nëse ne krijojmë precedentin që një parti, dy parti, tri parti, një palë vendos të imponojë përçarje dhe kushtet e zgjedhjeve mund të vendosen mbi këto përçarje atëherë ne do t’i kemi këto edhe për shumë vite më pas. Kjo parti sot, ajo parti nesër, një tjetër… Nuk është kjo ajo për të cilën ne po luftojmë. Ne po luftojmë për një shtet ku të ketë sundim të ligjit, ku politikanët të jenë të barabartë përpara ligjit si çdo qytetar dhe jo mbi ligjin. Në fund të fundit zgjedhjet nuk janë bërë që të vendosin politikanët, zgjedhjet janë bërë për popullin që të vendosin për politikanët”, ka deklaruar Rama. /Telegrafi/