LAJMI I FUNDIT:

Reagon edhe LDK: Me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, pushteti po shantazhon

Reagon edhe LDK: Me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, pushteti po shantazhon

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka konsideruar të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje pasi sipas tyre Kosova sapo ka kaluar një proces zgjedhor dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re. 

LDK thotë se vlerëson lart kontributin e mërgimtarëve dhe sipas tyre një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm.


“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së, përcjell Telegrafi.

Këtë nismë të Vetëvendosjes LDK po e konsideron shantazh të pushtetit.

“Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”.

Partia opozitare thotë se pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit.

“Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i koncensusit; sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm. Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”, thuhet më tej një komunikatën e LDK-së. /Telegrafi/