Pas nisjes së fazës përfundimtare të gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesës së Prokurorisë për dënim prej 45 vjetësh burg për secilin, kanë reaguar edhe figura të larta politike në Kosovë.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se lufta e UÇK-së nuk mund të vihet në dyshim.


“Drejtësi për të vërtetën, liri për çlirimtarët, dinjitet për historinë e Kosovës. Historia nuk mund të rishkruhet. #UÇK”, ka shkruar Krasniqi.



Reagim ka pasur edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku e cila ka theksuar se lufta për liri dhe dinjitet nuk mund të kriminalizohet.

“Nuk mund të dënohet lufta për liri. Nuk mund të kriminalizohet lufta për dinjitet njerëzor dhe kombëtar. Historia nuk rishkruhet me padrejtësi. Drejtësia vonon, por e vërteta mbetet. Drejtësi! Liri!” ka shkruar Çitaku.



Reagimet vijnë në një kohë kur në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Procesi ka nxitur debat të gjerë politik dhe publik në Kosovë, me reagime të shumta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe me thirrje për drejtësi dhe ruajtje të së vërtetës historike./Telegrafi/