LAJMI I FUNDIT:

Rasti “Gylenistët”, shikohet CD-ja e dërgimit të shtetasve turq në Aeroportin e Prishtinës

Rasti “Gylenistët”, shikohet CD-ja e dërgimit të shtetasve turq në Aeroportin e Prishtinës

Në rastin e njohur si “Gylenistët”, është bërë shikimi i CD-së me video-incizime në të cilën sipas prokurores Habibe Salihu kjo CD, vërteton datën kur tani të dëmtuarit janë dërguar në zonën VIP në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Pra, këto janë momentet kur kanë fillu me i pru të dëmtuarit në pikën kufitare”, tha prokurorja Salihu.

Shikimi i kësaj CD-je është bërë në seancën e së mërkurës, në fazën e administrimit të provave materiale.

Në këtë rast, akuzohen për korrupsion ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi, si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare (DMH), Rrahman Sylejmani.

Sipas prokurores Salihu në këtë pjesë të video-incizimeve vërehet edhe prezenca e dëshmitarëve të cilat edhe kanë dëshmuar para këtij trupi gjykues si Fazli Fazliu.

Nga ky video-incizim prokurorja Salihu tha se vërehet edhe mënyra se i kanë sjellë ku po ashtu shihet se i dëmtuari Cihan Ozkan është i prangosur.

Ajo tha se po ashtu në këto pamje vërtetohet edhe prezenca e të akuzuarit Rrahman Sylejmani.

Prokurorja Salihu gjatë administrimit të kësaj CD-je ka thënë se vërtetohet se një person tjetër të cilit emri fare nuk i ka figuruat në listë për depërtim i njëjti është depërtuar.

“Ndërsa personi për të cilin është nxjerr vendimi për depërtim për të cilin person kanë pretenduar se ka paraqit rrezik për sigurinë kombëtare edhe më tutje ka qëndruar në Republikën e Kosovës, dhe në vend të tij është depërtu personi edhe i cili tani shihet në video incizim, Hasan Hysejn Gynakaj”, deklaroi prokurorja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë video-incizim, sipas prokurores Salihu vërehet se janë paraqitur edhe problematika rreth identitetit të këtij personi për të cilin fare nuk kanë pasur dokumentacion apo urdhër për largim me forcë.

Tutje, prokurorja Salihu ka thënë se përmes kësaj CD-je shihet edhe aeroplani privat i cili ka ardhur në pistën e aeroportit për depërtim të të dëmtuarve.

Ajo ka thënë se, të dëmtuarit janë dëbuar deri sa kanë qenë të prangosur dhe pa prezencën e përkthyesve.

Në këtë video-incizim, prokurorja Salihu ka thënë se vërtetohet edhe pjesëmarrja e hierarkisë së Policisë së Kosovës për dallim nga herët tjera për raste të tilla.

E lidhur me këto video-incizime, vërejtje pati mbrojtësi i të akuzuarit Sylejmani, avokati Flakron Sylejmani, të cilat prova tha se i konsideron si të papranueshme.

Avokati Sylejmani deklaroi se fillimisht është e paqartë se si janë siguruar këto prova pasi që sipas tij, në shkresat e lëndës nuk kanë parë ndonjë autorizim për secilën provë veç e veç.

“Për më tepër është absolutisht e paqartë madje edhe konfuze për të kuptuar kohën e kryerjes së veprës penale, mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe cilat janë veprimet me të cilat pretendon prokuroria se klienti ime ka kryer veprën penale”, ka thënë tutje avokati Sylejmani.

Po ashtu, ai tha se je janë konfuz edhe sa i përket kronologjisë së paraqitjes së këtyre provave pasi që të njëjtat sipas tij, nuk janë paraqitur në mënyrë kronologjike.

I njëjti ka thënë se gjatë administrimit të provave prokuroria nuk ishte në gjendje që të identifikoj as palët e dëmtuara e as dëshmitarët e as palët tjera prezent në vendin e ngjarjes.

Këto deklarime të avokatit Syljemani i kanë përkrahur në tërësi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Florent Latifaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi avokati Ekrem Hoxha.

Për këto vërejtje të avokatit, prokurorja Salihu ka thënë se Kodi i Procedurës Penale nuk e përcakton se për çdo provë, për çdo veprim veç e veç të autorizojë në rastin konkret Policinë dhe Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK).

“Ndërsa sa i përket asaj se prokurorja e rastit konkret nuk ishte në gjendje të identifikoj të dëmtuarit në asnjë mënyre nuk qëndron ky mendim për shkak se identifikimi i të dëmtuarve është bërë në mënyrë të saktë e të qartë në aktakuzën e cila është objekt i këtij trupit gjykues”, tha prokurorja Salihu.

“Po ashtu, qëllimi i tyre video-incizimeve nuk ishte të verifikohen dëshmitarët që ishin prezent, për këtë arsyeja ishte jo relevante që të ceken secili dëshmitarë i cili shihet në video-incizim, sepse dëshmitarët që ishin në video-incizim secili para këtij trupi gjykues ka dhënë dëshmi, andaj si prokurori konsiderojmë se ishte shumë me rëndësi që nga ky video- incizim të vërtetohet mënyra e depërtimit të këtyre shtetaseve”, ka thënë tutje prokurorja Salihu.

E derisa seanca do të vazhdonte me administrimin e provave tjera materiale, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Latifaj, ka kërkuar nga gjykata që të mbyllet seanca për publikun pasi që sipas tij, kemi të bëjmë me disa prova të ndjeshme që duhet të vlerësohen.

Mirëpo, një propozim të tillë, e ka refuzuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani me arsyetimin se gjykata në vazhdim të kësaj seance nuk do të bëjë leximin e provave të ofruara nga AKI-ja.

Ajo tha se të njëjtat prova do shqyrtohen jashtë seancës nga gjykata dhe do të vlerësojnë se cilat prova do të mund të lexohet në këtë çështje penale.

Nga seanca e kaluar ishte aprovuar propozimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Urim Vokshi që nga Kuvendi i Kosovës të sigurohen disa prova materiale.

Lidhur me kërkesën e lartcekur, gjykatësja Namani tha se deri në këto momente palët në procedurë nuk e posedojnë të njëjtën e sipas saj aty janë cekur të gjitha provat.

Andaj, ajo tha se meqenëse se edhe sot gjykata ka pranuar edhe një kërkesë nga avokati Vokshi e cila ka të bëjë me prova tjera, është e nevojshme që edhe një herë të bëhet konkretizimi i të gjitha provave.

Tutje, gjykatësja Namani tha se gjykata do të vlerësojë përsëri të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe do të shikoj e do ta vlerësoj secilën relevancë të këtyre provave.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për 20 janar dhe 21 shkurt 2023.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Ndryshe, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes, hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.

Ndërkaq, prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal.

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori