Numri i francezëve të trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv për COVID-19 u rrit për ditën e njëzetë me radhë të mërkurën, ndërsa numri i rasteve të reja ditore ishte i treti më i larti i regjistruar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet shëndetësore franceze raportuan 9,784 infeksione të reja, pak më poshtë se 10,561 më të lartat ditore të të gjitha kohërave të arritura të shtunën, duke e çuar numrin kumulativ të rasteve në 404,888, numri i dytë më i lartë në Evropën Perëndimore pas Spanjës.

Duke folur para gazetarëve, presidenti francez Emmanuel Macron tha se virusi po qarkullon “më shpejt në pjesë të caktuara të vendit”.

“Virusi është këtu për të qëndruar për muaj të tërë, ai do të qarkullojë kudo në Evropë dhe veçanërisht në Francë”, tha ai, duke shtuar se rregullat shëndetësore duhet të respektohen për të mbrojtur jetën e njerëzve.

Sipas France24, numri i njerëzve në Kujdes Intensiv është akoma pothuajse nëntë herë më i ulët sesa kulmi i 8 prillit prej 7,148, por trendi rritës po vë një tendosje të re në sistemin spitalor në pjesë të caktuara, të tilla si Marseja.

Shifra totale për shtrimet në spital të pacientëve me COVID-19 u rrit me 140, në 5,819, duke u rritur me më shumë se njëqind për të tretën ditë me radhë, një sekuencë e paparë që nga 14 prilli, kur ky numër arriti rekordin e tij prej 32,292.

Ndërkohë numri i njerëzve në Francë që kanë vdekur nga COVID-19 u rrit me 46 në 31,045.

Kjo shifër është më e lartë se mesatarja lëvizëse shtatë ditore prej 36, e cila në vetvete është në nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit. /Telegrafi/