LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Auditimit për kompanitë e ujësjellësit: Humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55 për qind  

Raporti i Auditimit për kompanitë e ujësjellësit: Humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55 për qind  

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” për periudhën 2019-2021.

Auditimi ka konstatuar se procesi i planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU-të) dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) nuk është menaxhuar mirë duke ndikuar që objektivat e synuara të mos arrihen me kohë dhe në mënyrë të duhur.


“Planifikimi i investimeve kapitale nga KRU-të është përcjell me disa mangësi si: mungesa e Planit të Menaxhimit të Aseteve dhe Planit Afatgjatë të Investimeve; mungesa e arsyeshmërisë së qëndrueshme të investimeve; mungesa e prioritizimit të projekteve; si dhe mos harmonizimi i Biznes Planit Rregullator dhe Planit të Biznesit.

Rezultatet e auditimit tregojnë se humbjet e ujit janë evidente dhe rezultojnë me humbje financiare. Problemi i humbjeve të ujit për shkaqe teknike dhe kyçjeve ilegale si dhe vlerat e ujit të pa faturuar mbeten ende sfidë. Edhe pse kishte një zvogëlim të lehtë të humbjes së ujit, humbja mesatare e ujit gjatë vitit 2021 ishte 55%”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se dështimi i realizimit të projekteve të planifikuara dhe mos adresimi i humbjeve të ujit dhe ripërtëritjes së infrastrukturës, ka ndikuar që tarifat e qytetarëve për investimet kapitale të mos përdoren në mënyrën e duhur.

“Çështje kritike mbetet monitorimi joadekuat i investimeve kapitale në Kompanitë Rajonale të Ujit, duke paraqitur rreziqe në menaxhimin dhe realizimin e projekteve.

Njëkohësisht edhe zgjerimi me shërbime të ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura nëpër zonat e shërbimit nga KRU-të vazhdon të përcillet me  probleme dhe me një performancë të dobët dhe për këtë qytetarët në zona të caktuara nuk marrin shërbime të ujit”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se veprime konkrete duhet të ndërmerren nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit për përmirësimin e procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale.

Spanca deklaroi se mungesa e planifikimit të bazuar në nevoja dhe arsyetim të detajuar, ka rezultuar me mangësi në prioritizimin e investimeve në sektorin e ujërave dhe për pasojë ka pasur vonesa dhe dështime në realizimin e projekteve si dhe shfrytëzim joefektiv të tarifave të qytetarëve.

Me qëllim të përmirësimit të procesit të planifikimit, realizimit dhe monitorimit të investimeve kapitale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime, prej tyre 11 për Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, katër për Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një rekomandim për Ministrinë e Ekonomisë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU- të” e gjeni KËTU.