Raport i ri për luftën në Gaza - mbi 73 mijë viktima që nga viti 2023


Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i luftës në tetor të vitit 2023, numri i viktimave palestineze ka arritur rreth 73 mijë persona. Shifrat vazhdojnë të rriten, ndërsa konflikti dhe bombardimet në territor vazhdojnë pa ndërprerje.
Në raportet zyrtare thuhet gjithashtu se mbi 173 mijë persona janë plagosur gjatë të njëjtës periudhë, duke e rënduar edhe më shumë situatën humanitare në Rripin e Gazës.
Shumë prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa sistemi shëndetësor përballet me mungesë të madhe të barnave, pajisjeve mjekësore dhe kapaciteteve spitalore.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se një pjesë e madhe e viktimave janë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, çka ka rritur shqetësimin ndërkombëtar për ndikimin e luftës mbi popullsinë e pambrojtur.
Situata në terren mbetet kritike, me sulme të vazhdueshme dhe qasje të kufizuar të ndihmës humanitare në zonat më të goditura.
Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë të thellë humanitare, ndërsa përpjekjet për armëpushim deri më tani nuk kanë sjellë rezultate të qëndrueshme.
Në këto kushte, verifikimi i saktë i të dhënave në terren mbetet i vështirë, por të gjitha raportimet tregojnë për një bilanc gjithnjë e më të rëndë të konfliktit dhe për përkeqësim të vazhdueshëm të gjendjes së civilëve. /Telegrafi/





































