LAJMI I FUNDIT:

Ramazani 2022: Pse është i rëndësishëm për myslimanët?

Ramazani 2022: Pse është i rëndësishëm për myslimanët?

Me ngadalësimin e ritmit të pandemisë, përkatësisht me rënien e numrit të rasteve të reja me COVID-19, këtë vit myslimanët ka të ngjarë t’u kthehen ritualeve të Ramazanit, si lutjeve të gjata të përbashkëta dhe iftareve të përbashkëta.

Meqë Ramazani pritet të nisë më 2 prill, duke iu nënshtruar shikimit të hënës, myslimanët po përgatiten për këtë muaj në kushte më të mira krahasuar me dy vitet e mëparshme kur pandemia kishte goditur shumicën e vendeve, përcjell Telegrafi.


Por pse është i rëndësishëm Ramazani?

Myslimanët besojnë se gjatë këtij muaji, profetit Muhamedi i është zbuluar mesazhi i Zotit – Kurani, të cilin myslimanët e konsiderojnë si testamentin e pandryshuar dhe të fundit të Zotit.

Nata e saktë e shpalljes është objekt debati mes dijetarëve islamë, por besohet se është një nga datat me numër tek gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit.

Shumë preferojnë ta shënojnë këtë rast në natën e 27-të, të cilën e quajnë “Leylat ul Kadr” ose “Nata e Kadrit”.

Gjatë këtij muaji, myslimanët praktikues agjërojnë gjatë orëve të ditës. Kjo do të thotë të mos hani mes lindjes së diellit dhe perëndimit të diellit.

Akti i “prishjes” së agjërimit në perëndim të diellit njihet si iftar, ndërsa vakti para agimit që i paraprin agjërimit njihet si syfyr.

Myslimanët gjithashtu abstenojnë nga pirja e ujit, konsumimi i duhanit dhe marrëdhëniet seksuale gjatë ditës.

Myftiu Tërnava jep mesazhin për muajin e Ramazanit: Freskon besimtarin dhe shton ndenjën e solidaritetit
Lexo po ashtu Myftiu Tërnava jep mesazhin për muajin e Ramazanit: Freskon besimtarin dhe shton ndenjën e solidaritetit

Besimtarët inkurajohen gjithashtu që të përmirësojnë sjelljen e tyre dhe të shmangin sharjet, grindjet, thashethemet dhe dembelizmin, pasi ato gjëra pakësojnë “shpërblimin shpirtëror të agjërimit”.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, krahas besimit në Zot dhe pranimit të profetit Muhamed si të dërguar të tij, pesë namazeve ditore, haxhit dhe dhënia e lëmoshës ose bamirësia (zekati).

Muajt hënor zgjasin nga 29 deri në 30 ditë, në varësi të shikimit të hënës së re në natën e 29-të të çdo muaji. Nëse hëna e re nuk është e dukshme, muaji zgjat 30 ditë.

Ai është një nga aspektet e detyrueshme të Islamit, me përjashtim të atyre që justifikohen për arsye mjekësore.

Megjithatë, si të gjitha aktet fetare, praktikimi i agjërimit është kuptimplotë edhe në aspektin social.

Shumë myslimanë besojnë se kjo gjithashtu ndihmon në afrimin e tyre me të varfrit dhe ata që ndiejnë uri rregullisht.

Disa besojnë se i mëson ata të vlerësojnë rëndësinë e ushqimit dhe pijes, ndërsa për të tjerët është një rast që i afron ata me pjesëtarët e familjes. /Telegrafi/