LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Nuk do të ketë zvogëlim të bashkëpunimit me NATO-n

Ramadani: Nuk do të ketë zvogëlim të bashkëpunimit me NATO-n

Burim Ramadani zëvendësministër i FSK-së, ka folur rreth takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel dhe qëndrimit të saj ndaj formimit të Ushtrisë.

Gjatë ditës së sotme Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se në pranverë do të shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit me FSK-në.


Zv.ministri Ramadani ka thënë se institucionet e Kosovës kanë komunikim në baza të rregullta ditore me përfaqësuesit e NATO-së dhe me ekipin ndërlidhës dhe këshillues të NATO-së që janë në Kosovë dhe funksionojnë me ministrin e mbrojtjes.

“Në parim jemi të kënaqur me trajtimin që aleatët janë duke i bërë raporteve mes NATO-s dhe Kosovës. Ne do të donim që kjo marrëdhënie ndërmjet NATO-së e FSK-së të thellohet edhe më tutje si dhe të zhvillohet edhe në disa nivele të tjera, jo vetëm në këtë që e kemi tash”, tha Ramadani në televizionin publik.

Ai tutje theksoi se duan që të formalizohet dialogu ndërmjet NATOS-s dhe Kosovës, si dhe FSK-ja të trajtohet për të marrë pjesë në partneritetin për paqe.

“Si fazë tjetër presim të marrim edhe planin e veprimit për anëtarësim, që pas pak vitesh të jemi të gatshëm të nënshkruajmë edhe protokollin për anëtarësim në NATO. Ky është synimi ynë”, shtoi Ramadani.

Ai deklaroi që Kosova është e interesuar ta vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n.

“Shumica dërrmuese të shteteve anëtare të NATO-s janë aleate të Kosovës dhe ato nuk do të lejojnë zvogëlim të bashkëpunimit Kosovë – NATO. Normalisht ne duam që ky bashkëpunim të rritet dhe të kalojmë në nivele formale të marrëdhënies kontraktuale, por janë disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që nuk janë të gatshme për të ndryshuar nivelin e angazhimit dhe kalimin e bashkëpunimit në marrëdhënie kontraktuale”, tha Ramadani. /Telegrafi/