Përmes një postimi në rrjetet sociale nga Tivati i Malit të Zi, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave qytetare që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec.

Nga hoteli Porto Montenegro, kreu i qeverisë ka shfrytëzuar rastin për të ironizuar kritikët e këtij projekti, duke e cilësuar zonën ku ndodhej si një “perlë” të investuar nga dikush që dikur u dëbua nga Shqipëria.


Rama u shpreh se faji i politikanëve të vjetër, të cilët ai i quajti “honxhobonxho”, bëri që vendi fqinj t’ia kalonte Shqipërisë në zhvillimin turistik. Megjithatë, ai siguroi ndjekësit se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më dhe se projektet madhore do të ecin përpara pavarësisht kundërshtimeve.

Në fund të mesazhit të tij, kryeministri theksoi prerazi se askush nuk mund ta ndalë marshimin e asaj që ai e quan “Shqipëria e Re Europiane”.

“Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. O çuna, goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti.

Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prapë huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë në Tiranë është organizuar këtë të enjte, 4 qershor, protesta e pestë qytetare kundër projektit për Zvërnecin. Protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera, si në Durrës dhe Vlorë. Qytetarët kërkojnë anulimin e projektit, ata kanë listuar edhe disa kërkesa të tjera të tjera.

Nuk kanë munguar as përgjigjet dhe reagimet e kreut të qeverisë, i cili herë në deklarata publike dhe herë me postime në rrjetet sociale është shprehur se ky “projekt i jashtëzakonshëm” di hapë vendin Shqipërisë të jetë kampione në rajon për turizmin elitar.

Ai i ka cilësuar këto protesta si të nxitura nga forca të caktuara, nga ata persona që sipas nuk duan zhvillimin, progresin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.