LAJMI I FUNDIT:

Rama: Bashkimi Kosovë-Shqipëri më i mundshëm jashtë BE-së sesa brenda saj

Rama: Bashkimi Kosovë-Shqipëri më i mundshëm jashtë BE-së sesa brenda saj
Foto: Arkiv

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Merkur” ka folur për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor dhe çështje tjera.

Sipas Ramës, BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet, ndërsa ka folur edhe rreth deklaratave për bashkimin Kosovë-Shqipëri.


Në pyetjen se në rajon disa kanë frikë nga bashkimi Kosovë-Shqipëri, Rama ka thënë se “Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së”.

Pjesë të intervistës së Ramës për gazetën gjermane: 

Procesi i anëtarësimit ka ngelur prej kohësh në vendnumëro. A jeni i zhgënjyer?

Rama: Në krye të herës po, por jo më. Sot BE-ja nuk është më e njëjta si në kohën e themelimit të saj. Ajo është e fragmentarizuar, vuan pasojat e agjendave kombëtare dhe të interesave të papërputhshme me njëra-tjetrën. Unë besoj se që pas krizës së refugjatëve, BE-ja ndikohet fort nga kahet ekstreme të politikës. Vërtet që partitë e ekstremit të djathtë nuk janë në pushtet, por ato kanë ndikim të madh në politikat e qeverive të moderuara. Hera-herës kjo bie në kundërshti me vlerat dhe parimet e BE-së.

Këto fjalë nuk tingëllojnë aspak si një fjalim që të do të bindë BE-në për ta pranuar. Përse vazhdoni të doni të bëheni vend anëtar?

Rama: Nuk bëhet fjalë për gjendjen e bashkësisë në një çast konkret të historisë. Për ne Bashkimi Evropian është një premtim paqeje. Këtë njerëzit në Perëndim e kanë harruar, sepse falë Zotit nuk kanë parë luftë prej kohësh. Ama ne po. Ndoshta rrugëtimi i BE-së do të jetë me kthesa e pengesa edhe për ca kohë, por në finish ajo mbetet padyshim e ardhmja e kontinentit.

Por me Ballkanin Perëndimor BE-ja fut probleme në derën e shtëpisë, si për shembull konflikti për çështjen e Kosovës.

Rama: BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet. Nuk ka kuptim që të ketë kufi të brendshëm me ne. Dhe nuk ka aspak kuptim që ta lëshojë rajonin tonën nën ndikimin e të tjerëve…

…E keni fjalën për Kinën dhe Rusinë?

Rama: Ato janë veç pjesa e dukshme. Mos harroni se në rajon jetojnë të krishterë e myslimanë. Do të ishte çmenduri ta lësh Ballkanin Perëndimor një portë të hapur për radikalizimin dhe terrorizmin. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë.

Edhe njëherë, tensionet në rajon po shtohen. Para pak kohësh Serbia vendosi mjete të blinduara në kufirin me Kosovën…

Rama: Por kjo nuk ka të krahasuar me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje kjo lidhet edhe me faktin që kundërshtarët e dikurshëm  sot duan të anëtarësohen të gjithë së bashku në BE. Konfliktet ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara e jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo dhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është i vogël.

Në rajon disa kanë frikë se ju doni të bashkoheni me Kosovën për të krijuar Shqipërinë e Madhe…

Rama: Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së. /tch/

Në trend Lajme

Më shumë
Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Dita botërore e lirisë së shtypit, raporti i “Reporterëve pa Kufij” - Kosova shënon rënie për 19 vende

Lajme
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë
“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

“Ushtria digjitale” e Kurtit në front kundër gazetarëve

Lajme
Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Ferizaj, një grua raporton se vajza e saj është marrë nga një person i panjohur - dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të

Kronika e Zezë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Anëtarësimi i Kosovës në KiE-së, Kosova dhe Zvicra mbajnë takimin konsultativ

Lajme
Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet, shumë shpejt projekti do të tenderohet

Lajme
Kalo në kategori