LAJMI I FUNDIT:

Rajonet me pabarazinë më të madhe në Shqipëri (Foto)

Rajonet me pabarazinë më të madhe në Shqipëri (Foto)

Një publikim i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, jep të dhëna të detajuara që mund të përdoren nga politikëbërësit për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë në vend.

Më se një dekadë më parë, Farka ishte një zonë rurale si gjithë të tjerat, me avantazhin e vetëm që ishte afër kryeqytetit dhe kishte pak më shumë hapësira të gjelbra. Sot, ajo është kthyer në një zonë të mbushur me vila luksoze e të pasurve të vendit, që bashkëjetojnë me banorët e varfër, duke u bërë kështu dëshmitare e qartë e pabarazisë që po krijohet në vend.


Një publikim i fundit, i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT, “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, tregon se është pikërisht Farka, komuna që ka nivelin më të lartë të pabarazisë nga 373 njësitë administrative (fshatra e qytete) sipas ndarjes së mëparshme territoriale në Shqipëri. Indeksi Gini, që mat nivelin e pabarazisë, është gati 30 për qind për Farkën.

Studimi është i bazuar në Censusin e vitit 2011 dhe Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2012, po ashtu dhe në vëzhgimet me familjet për pjesën më të madhe të rajoneve dhe i është përshtatur ndarjes së re territoriale me 61 bashki, por duke ruajtur dhe ndarjen e vjetër me 373 njësi vendore, në mënyrë që të prodhojë rezultate, që janë më domethënëse për politikëbërjen sot.

Pas Farkës, komuna me pabarazinë më të madhe në vend është Lezha. Më pas renditet sërish një komunë e Qarkut të Tiranës, Dajti (edhe kjo një zonë e preferuar për vila), të ndjekur nga qytetet e Durrësit, Sarandës, Tiranës, Vlorës. Komuna me pabarazinë më të ulët në vend është Kalis në Kukës.

Për qarkun e Tiranës, pas Farkës dhe Dajtit, pabarazia më e lartë është brenda në qytet, ndërsa më e ulëta është në zonat që janë edhe më të varfëra si Zall Bastar, Baldushk, Shëngjergj. /Dita/