LAJMI I FUNDIT:

Rahoveci e Ozalj i Kroacisë thellojnë bashkëpunimin

Rahoveci e Ozalj i Kroacisë thellojnë bashkëpunimin

Në vizitën e tij zyrtare që ka nisur nga e hëna në Kroaci, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi është pritur në takim nga Kryetarja e Komunës së Ozalj, Gordana Lipsiniq me të cilën edhe ka nënshkruar deklaratën për marrëveshje bashkëpunimi.

Sipas njoftimit të Komunës së Rahovecit, në deklaratën e nënshkruar parashihet që të vendoset bashkëpunim ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe Komunës së Ozalj në këto fusha: zhvillim rajonal dhe rural, bujqësi, fonde dhe projekte të BE-se, turizëm, kulturë dhe në fushat tjera për të cilat palët nënshkruese, mund të shprehin interesimin.

Bazuar në tekstin e deklaratës, palët nënshkruese do të fillojnë një elaborim të hollësishëm të përmbajtjes së Marrëveshjes së Bashkëpunimit, e cila në pajtim me ligjin e brendshëm të secilës palë do të miratohet nga autoritetet kompetente të palëve nënshkruese të kësaj deklarate.


Pas nënshkrimit të deklaratës, kryetari Vehapi i dhuroi kryetares Lipsiniq, emblemën e Komunës së Rahovecit. Delegacioni nga Rahoveci vizitoi dy përpunues të verave dhe muzeun në Komunën e Ozalj./Telegrafi/