LAJMI I FUNDIT:

Rafuna: Nëse buxheti nuk aprovohet pas muajit mars, shteti nuk mund të bëjë asnjë pagesë (Video)

Rafuna: Nëse buxheti nuk aprovohet pas muajit mars, shteti nuk mund të bëjë asnjë pagesë (Video)

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se nëse buxheti për këtë vit, nuk aprovohet edhe pas muajit mars nuk do të ketë asnjë pagesë përveç borxhit të jashtëm.

Ai ka treguar se kanë bërë kërkesë në Kuvend për zgjatjen buxhetore, që të mos ketë ndërprerje të pagesave.


“Në rast se nuk kalon buxheti i vitit 2019, por kalon vendimi, na mundëson që të funksionojmë gjatë muajit shkurt dhe mars. Nëse buxheti edhe pas muajit mars nuk aprovohet, atëherë më 1 prill shteti i Kosovës mund të bëjë pagesa vetëm për borxhin e jashtëm, ndërsa asnjë pagesë tjetër nuk mund të bëhet”, tregoi ai.

Rafuna ka thënë se nëse kalon vendimi atëherë shërbyesit civil do t’i marrin pagat për muajin shkurt dhe mars.

“Në qoftë se votohet buxheti më 2 shkurt është procedura e cila merr kohë, minimumi është 15 ditë deri sa të hyjë në fuqi. Për të qenë të përgjegjshëm, kemi parashtruar kërkesë që Kuvendi i Kosovës të merr vendim që ta vazhdoj ligjin për zgjatje buxhetore nga viti paraprak për muajin shkurt dhe mars. Shërbyesit civil do t’i marrin pagat në fund të muajit shkurt dhe të muajit mars, ndërsa për muajin prill është varianti që nëse votohet buxheti, deri atëherë nuk e gëzojmë të drejtën ta bëjmë asnjë pagesë”, ka thënë këshilltari në Ministrinë e Financave, Lulzim Rafuna.

Ai ka konfirmuar se pagat e shërbyesve civil janë bërë sot (e enjte).

“Sot Ministria e Financave i ka proceduar të gjitha pagat për të gjithë punonjësit e shërbimit publik në republikën e Kosovës, pra më 31 janar pagat do t’i marrin të gjithë punëtorët publik”, ka konfirmuar ai. /Telegrafi/