LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët e RMV kërkojnë azil vazhdimisht!

Qytetarët e RMV kërkojnë azil vazhdimisht!

Mediat gjermane shkruajnë për azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor të cilët kanë aplikuar për azil prej disa vitesh me radhë. Shanset e tyre për azil janë të vogla, por ata vazhdojnë të vijnë.

Pak ditë para takimit të krizës mes kryeministrave të landeve dhe kancelarit Olaf Scholz për temën e refugjatëve dhe azilkërkuesve, që ka për qëllim parandalimin e ardhjes së peranave që nuk kanë të drejtë azili, si dhe dëbimin e atyre që janë refuzuar,mediat gjermane raportojnë për historitë e kërkesave të përsëritura për azil nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor.


Gazeta Berlinit Tagesspiegel dhe disa media të tjera gjermane, përfshirë Süddeutsche Zeitung dhe Bild, shkruajnë se ende ka një numër të madh të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia që kërkojnë azil në mënyrë të përsëritur, megjithëse është pothuajse e pamundur që këto kërkesa të zgjidhen pozitivisht.

“Mbiemrat e famshëm”

“Nga disa mbiemra, punëtorët në qendrën e pritjes së refugjatëve në Berlin tashmë e dinë se çfarë vjen më pas: zero mundësi për t’u dhënë azil. Por këto kërkesa shoqërohen me disa muaj ndihmë sociale të ndjekura dhe në fund kërkesa refuzohet. Vitin tjetër, e njëjta histori përsëritet”, shkruan Tagesspiegel, duke cituar burime në disa lande gjermane.

“Kryesisht në pranverë, emigrantët kthehen në vendet e tyre të origjinës, kalojnë verën atje dhe kthehen në vjeshtë për të aplikuar sërish për azil”, shkruan e përditshmja gjermane. Kjo është e mundur për shkak të ligjit gjerman të azilit, i cili nuk e kufizon numrin e kërkesave për azil për të njëjtin person. Sepse, siç argumentohet, që nga kërkesa e fundit e bërë dhe refuzuar, situata mund të ketë ndryshuar për aplikantin dhe është e nevojshme t’i jepet një mundësi e re dhe të rishqyrtojë kërkesën.” Kemi raste që i njëjti person bën kërkesë shtatë apo tetë herë” , thotë një punonjëse e qendrës së pritjes.

Zhvendosja vjetore midis Ballkanit dhe Gjermanisë

Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) flet për 13.000 aplikimetë përsëritura vetëm këtë vit. Shumica më e madhe e aplikantëve vijnë nga vendet e përmendura të Ballkanit Perëndimor, edhe pse këto vende janë shpallur si vende të sigurta të origjinës, nga mesi i dekadës së fundit. E kjo e bën pothuajse të pamundur që një person nga këto vende të marrë përgjigje pozitive të kërkesave për azil. Përqindja e kërkesave për azil të zgjidhura pozitivisht për shtetasit e këtyre vendeve është nën një përqind.

“Familje të plota nga këto vende lëvizin çdo vit midis vendeve të tyre të origjinës dhe akomodimit për azilkërkuesit në Gjermani,” raporton për Tagesspiegel një punonjës i qendrës së pritjes në landin e Saksonisë së Poshtme. Udhëtimi është gjithashtu i mundur për shkak të heqjes së regjimit të vizave, sepse (përveç Kosovës) shtetasit e këtyre vendeve mund të shkojnë ku të duan në vendet e Bashkimit Evropian. Numri i azilkërkuesve nga Ballkani është ende i lartë pavarësisht programeve të punësimit për banorët e Ballkanit Perëndimor, të cilat Gjermania i prezantoi në vitin 2015 dhe që mundëson punësim relativisht të lehtë në Gjermani.

Aktualisht po diskutohet nëse refugjatët dhe azilkërkuesve duhet të marrin ndihma sociale, e kjo ndihmë për familjet me disa fëmijë mund shkojë në mbi dy mijë euro në muaj (në para të gatshme), ose ata marrin edhe kupona për ushqim dhe nevoja të tjera. Heqja e këtyre ndihmave, siç besojnë gjithnjë e më shumë politikanë do të zvogëlonte atraktivitetin e Gjermanisë për azilkërkuesit.

Një problem tjetër është edhe fakti se këto kërkesa të përsëritura i ngarkojnë shërbimet për përpunimin e kërkesave, të cilat tashmë janë në kufi të kapacitetit të tyre për shkak të rritjes së numrit të refugjatëve nga vende të tjera si Ukraina, Turqia, Siria dhe Afganistani. /DW/